Maqedoni

Gjykata Penale ia refuzon kërkesën, Kamçevit i mohohet pasaporta e përkohshme

20.11.2019 15:23

Gjykata Penale refuzoi t’i japë pasaportë të përkohshme biznesmenit, Orce Kamçev....

Gjykata Penale refuzoi t’i japë pasaportë të përkohshme biznesmenit, Orce Kamçev, të  dyshuar në rastin “Perandoria”. Vendimi i Penales mori kështu parasysh mendimin negativ të prokurores, Lile Stefanovska, duke i pamundësuar udhëtimin jashtë vendit me pasaportë të përkohshme, biznesmenit. Kamçevit më herët gjatë procedurës hetimore i është mundësuar një pasaportë 6 mujore me vendim të ish kryeprokurores speciale, Katica Janeva. Afati i asaj pasaporte ka skaduar më 8 nëntor dhe biznesmeni bëri kërkesë të re për pasaportë 12 mujore me arsyetimin se e ka të patjetërsueshme të udhëtojë në Turqi dhe Zvicër. Dy pasaportat e rregullta, ajo maqedonase dhe pasaporta bullgare, Kamçevit i janë marrë nga gjykata. Mendimi negativ i Stefanovës, që ndikoi edhe në vendimin e Penales, ka bërë që Kamçev  të ngre padi penale kundër saj, madje edhe kundër Katica Janevës dhe djalit të saj Llazar. 
 
Rasti “Perandoria” dhe rasti “Zhvatja” janë tashmë në kompetencë të Gjykatës Penale për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kreu i kësaj prokurorie, Vilma Ruskovska, ka ngritur akuzat për rastin “Zhvatja”, ku dëshmitar kryesor është pikërisht Orce Kamçev që bëri publike veprimet e dyshuara joligjore të ish kryeprokurores speciale, Janeva, në favor të tij, për rastin “Perandoria”.