Maqedoni

Zaevi nuk komentoi prokuroren Ruskovska, “vetingu gjithëpërfshirës, proces i domosdoshëm”

20.11.2019 15:57

Kryeministri, Zoran Zaev, nuk dëshiron të komentojë paralajmërimin e prokurores, Villma Ruskovska...

Kryeministri, Zoran Zaev, nuk dëshiron të komentojë paralajmërimin e prokurores, Villma Ruskovska, se do të kërkojë hetim financiar për gjykatësit në Gjykatësit e Apelit, të cilët e lëshuan ish prokuroren e Prokurorisë Speciale, Katica Janeva, në arrest shtëpiak.
 
“Nuk kam koment për prokuroren Ruskovska. Pribe në raportin e tij thotë se politikanët duhet t’u ikin komenteve për procedura të caktuara të gjykatësve dhe prokurorëve”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev ripërsëriti edhe një herë rëndësinë e vetingut për gjykatat dhe prokuroritë. Sipas tij, ky është një proces i patjetërsueshëm, por megjithatë pranon se duhet analizuar mirë, pasi aktualisht gjykatat kanë 750 vende me sistematizim dhe 520 gjykatës të punësuar. E nëse mes këtyre ka të tillë që nuk do të kalonin vetingun, do të hapej problem në sistem meqë Akademia nuk prodhon shumë kuadro. 
 
“Populli ynë pret vetingun e gjykatësve, prokurorëve, politikanëve e drejtorëve. Ky proces duhet të organizohet mirë. Të mësuar nga përvoja e Shqipërisë duhet të dimë se a jemi të përgatitur, të analizohet që të mos mbetemi pa gjykatës dhe prokurorë. Vetingu është obligimi ynë si shoqëri. Nuk mendoj se politikanët nuk duhet ta zbatojnë vetingun. Patjetër duhet të kalohet në këtë proces. Duhet të ketë hetim për të gjithë, ta dimë se a po i shërbejmë shtetit, duhet në mënyrë transparente t’i japim të dhënat tona edhe për familjet tona, që të lëmë anash interesin personal”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev thotë se ka kuadro cilësorë, me pesë vite përvojë pune si avokatë e profesorë universitarë dhe për këtë proces ka sinjale pozitive edhe nga opozita dhe shpreson se i njëjti së shpejti do të realizohet.
 
FLUTURA LATIFI