Maqedoni
Zbatimi i gjuhës shqipe, më 15 janar skadon afati, institucionet ngecin
20.11.2019 16:28
Gjuha shqipe nëpër institucionet e vendit nuk po zbatohet në tërësi....

Gjuha shqipe nëpër institucionet e vendit nuk po zbatohet në tërësi. Më 15 janar skadon afati dhe jo të gjitha institucionet kanë arritur të bëjnë ndryshimet ligjore duke respektuar dygjuhësinë.
Selmani: Dënimet nga Inspektorati, është para formimit
Përfaqësuesi i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ahmet Selmani, në “Argument” në TVM2, thotë se po kontaktohen institucionet që të mësohen arsyet e ngecjes, deri sa të formohet Inspektorati i cili do të ketë për kompetencë që të inspektojë dhe ndëshkojë institucionet.
“Ne u kemi dërguar një pyetësor të gjitha institucioneve për të parë se si qëndron gjendja në institucionet e tyre lidhur me përkthimin, a kanë përkthyes, sa është numri i tyre dhe në qoftë se nuk kanë, pse nuk e kanë, si mendojnë që ta zbatojnë këtë, pse nuk e zbatojnë ose kur do të zbatojnë e kështu me radhë, por afati, siç shihet, deri më 15 janar përfundon. Kjo është faza e parë, d.m.th. përkthimi i tabelave, i logove dhe vulave. Për t’i detyruar që ta zbatojnë këtë do të merret Inspektorati për Zbatimin e Gjuhës, pra i Ligjit të gjuhëve që ka kaluar në procedurë parlamentare dhe kjo do të merret me këtë gjë dhe jo Agjencia”,- tha përfaqësuesi i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ahmet Selmani.
Qamili: Mungojnë përkthyes në institucione
Profesoresha e gjuhës shqipe, Ajtene Qamili, thotë që përkthimi vonohet në mungesë të përkthyesve, andaj sipas saj duhet shtuar numri i tyre për hir edhe të ruajtjes së cilësisë.
“Ka institucione të cilat kanë vetëm një përkthyes dhe ia nxjerrin shpirtin gjithë ditën me të gjitha llojet e shkresave të të gjithë institucionit dhe natyrisht që kur bëhet fjalë edhe për çështje kohe, për çështje trysnie, atëherë kushedi sa i mirë të jetë përkthyesi, atëherë natyrisht që mund të bëjë edhe lëshime”,- deklaroi profesoresha në Fakultetin e Filologjisë “Shën Kirili dhe Metodi”, Ajten Qamili.
Hamiti: Shqipja, e domosdoshme në fakultete
Profesori, Asllan Hamidi, si problem gjithëpërfshirës vlerëson moszbatimin e normave letrare si dhe vërshimin e fjalëve të huaja mbi shqipen.
“Në dobi të përparimit të zbatimit të shqipes dhe të njohjes së shqipes është edhe ajo që në çdo fakultet të kemi edhe lëndë të gjuhës, të jenë lëndë të domosdoshme”,- theksoi profesori në Fakultetin e Filologjisë “Shën Kirili dhe Metodi”, Asllan Hamiti.
Profesorët vlerësojnë që rol të rëndësishëm kanë edhe mediat. Vlerësimet erdhën në prag të shënimit të 111 vjetorit të Kongresit të gjuhës shqipe në Manastir.
MERAL ISMAILI
