Maqedoni

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, fëmijët kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre

20.11.2019 16:39

Jemi një - të barabartë edhe në të drejta. Ky është mesazhi në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve....

Jemi një - të barabartë edhe në të drejta. Ky është mesazhi në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve,  mesazh që  synon  krijimin e  kushteve për respektimin dhe aplikimin e të drejtave të barabarta për fëmijët në vend.
 
“Kjo ditë është mundësi që të gjithë ne si familje, institucione, organe të pyetemi nëse masat dhe aktivitet të cilat i ndërmarrim për fëmijët janë të mjaftueshme. A kemi sukses të sigurojmë qasje deri te të drejtat për të gjithë fëmijët, ashtu siç thotë Konventa dhe sa realisht fëmijët i realizojnë këto të drejta”,- u shpreh avokati i popullit, Ixhet Memeti.
 
Fëmijët dorëzuan në kuvend sot kërkesën nga fëmijët për të drejtat e tyre. 
 
“Kërkojmë të na i mundësoni të gjitha të drejtat e fëmijëve në realitet, sepse të gjithë ne kemi të drejta të barabarta”,- tha një nxënëse.
 
Kryeparlamentari Xhaferi u premtoi se me përkushtim do ta lexojë këtë kërkesë dhe përkujtoi se do të punojnë në vazhdimësi për respektimin e të drejtave të fëmijëve.
 
“Ju jeni përgjegjësia jonë, ndërgjegjja jonë dhe atë që do të ndërtojmë me ju, ajo çka do të ju mësojmë me të cilën do të jemi si shembull për ju është ajo se në çka do ta shndërroni botën ju në të ardhmen”,- theksoi kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve u organizuan një sërë aktivitetesh artistike, ekspozita dhe punëtori të ndryshme. E në fund fëmijët lëshuan tullumbacet plot ngjyra në qiell për të përmbyllur kështu këtë ditë të vitit kur u përkujtojnë të rriturve se duhet të bëjnë më shumë për të drejtat e fëmijëve. 
 
Ngjarja u organizua nga institucioni Avokati i Popullit në bashkëpunim me Koalicionin e Organizatave Rinore “Tani”, Drejtoria për Zhvillim dhe Avancim të Arsimit dhe Gjuhëve të Pjesëtarëve të Bashkësive, si dhe nga Fondacioni i fëmijëve “Pestalloci”.
 
LEUNORA KALIQI