Maqedoni

Zëvendësimi i paraburgimit për Janevën, Gjykata e Apelit: Jemi të pavarur, Ruskoska na kërcënoi. Këshilli Gjyqësor: Ndërhyrja, në kundërshtim me Kodin Etik. Prokuroria Publike: Ishte reagim i dëshpërimit momental

20.11.2019 17:45

Vendimi i Gjykatës së Apelit që të akuzuarës për rastin "Zhvatja", Katica Janeva...

Vendimi i Gjykatës së Apelit që të akuzuarës për rastin "Zhvatja", Katica Janeva, t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me atë shtëpiak, ka ngjallur konflikt mes Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe Gjykatës së Apelit.
 
Apeli thotë se njëri prej anëtarëve të Këshillit Penal që ka marrë pjesë në procedurën ankimore për Katica Janevën, ka marrë një sms porosi me përmbajtje kërcënuese nga Prokurorja Publike për Ndjekje të  Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskoska.
 
"Nëse ti dhe Këshilli e keni lëshuar Katicën, ta dini se do ju shkund nga të brendshmet të gjithëve në Këshill, me hetim financiar. Për shkak të gjykatësve si ju, asnjëherë nuk do të hyjmë në Bashkimin Europian. Nëse nuk është Këshilli yt, kërkoj falje, por nëse jeni ju, do ta shihni".
 
Sipas Gjykatës së Apelit, porosia dhe qëndrimi publik i prokurores publike paraqet kërcënim direkt dhe përzierje në punën e gjykatës, ku Prokuroria Publike është vetëm palë. Njëkohësisht ky mesazh, sipas tyre, është shfrytëzim i pozitës për të futur ekzistim të elementeve të korrupsionit në punën e Këshillit Penal.
 
"Veprimi i tillë i prokurorit publik paraqet precedan në sistemin gjyqësor, me të cilin në mënyrë direkte prishet imazhi i pushtetit gjyqësor si dhe parimet e vendosjes kushtetuese të pushtetit gjyqësor dhe lirinë e bindjes gjyqësore gjatë miratimit të vendimeve, që në çdo rast paraqet shkelje të Kushtetutës, ligjeve dhe Kodit Etik të Prokurorëve Publikë",- thuhet në kumtesën e Gjykatës së Apelit.
 
Ka reaguar edhe Këshilli Gjyqësor. Sipas tyre, sjellja e prokurores Ruskoska është në kundërshtim me Kodin e Etikës së prokurorëve publikë.
 
"Veprimet e tilla paraqesin shkelje të rëndë të parimit të barazisë së pjesëmarrësve në procedurën penale, ndikim mbi opinionin sa i përket ligjshmërisë së vendimit gjyqësor në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, keqpërdorim të të drejtave në procedurë gjyqësore, përzierje e palejuar dhe shtypje mbi gjykatësit gjatë miratimit të vendimeve gjyqësore, prishje të reputacionit të gjykatës dhe pushtetit gjyqësor përmes krijimit të josigurisë juridike si një nga segmentet e parimit të sundimit të së drejtës".
 
Prokuroria Publike arsyeton mesazhin e prokurores së lëndës, si  shprehje e dëshpërimit momental.
 
"Si organ i vetëm shtetëror që është kompetent për ndjekje penale dhe kujdeset për ligjshmërinë e ndjekjes penale, Prokuroria Publike thekson se i respekton vendimet gjyqësore dhe nuk përzihet në punën e pushtetit gjyqësor".
 
Nga kjo prokurori thonë se edhe më tutje do të zotohen për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe do të vazhdojnë bashkëpunimin me organet gjyqësore.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI