Dimkovski: 9.4 miliardë denarë për bujqësinë në vitin 2020
Sektori i bujqësisë është paraparë që vitin e ardhshëm të ketë buxhet prej mbi 9.4 miliardë denarë....

Sektori i bujqësisë është paraparë që vitin e ardhshëm të ketë buxhet prej mbi 9.4 miliardë denarë. Këto fonde do të shfrytëzohen para së gjithash për pagesën në kohë të subvencioneve dhe realizimin e investimeve kapitale në menaxhimin me ujërat, zonat rurale, konfinancim të fondeve të BE-së dhe çështje tjera, thotë ministri i bujqësisë, Trajan Dimkovski. Vëmendje e veçantë sipas ministrit do t’i kushtohet motivimit të rinisë dhe grave për t’u angazhuar në bujqësi.
“Qëllimi ynë përfundimtar është të krijojmë një prodhim bujqësor modern dhe konkurrues. Përmes mbështetjes së vazhdueshme dhe të fortë për bujqësinë, ne po ndërtojmë një ekonomi të fortë, ne po investojmë në fermerë që çdo familje fermerësh të ketë një jetë më të mirë cilësore, që të rinjtë të zhvillojnë agrobiznesin e tyre dhe të qëndrojnë vetë”,- deklaroi ministri i bujqësisë, Trajan Dimkovski.
Nga mjetet e lartpërmendura, Ministrisë së Bujqësisë i janë ndarë mbi një miliardë denarë, 630 milionë denarë i janë ndarë Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe fondet tjera të mbetura janë për Inspektoratin e Bujqësisë, Inspektoratin e Pylltarisë dhe Gjuetisë, Agjencinë Hidrometeorologjike dhe Zhvillimin Bujqësor. (Sedat Selimi, TVM2)
