Maqedoni
21 nëntori - Dita Botërore e TV-së, Ibrahimi: TVM2 me program në interes të qytetarëve
21.11.2019 16:59
21 nëntori, Dita Botërore e Televizionit, simbolizon komunikimin dhe globalizimin në botën bashkëkohore....

Në vitin 1996, Kombet e Bashkuara kanë bashkuar për herë të parë institucionet kryesore të industrisë mediale në Evropë, duke pasur në fokus interesin publik. Ndër vite, fuqia e televizionit është ndjerë gjithandej. Në RTVM për herë të parë është transmetuar programi në gjuhën shqipe, për të vazhduar sot e kësaj dite në interes të qytetarëve.
“Ka pasur edhe vështirësi kur të kihet parasysh se ka qenë një sistem tjetër, një sistem njëpartiak dhe dashtë e padashtë kanë qenë kontura të caktuara të lëvizjes dhe të formës së informimit, por të punësuarit të cilët i kanë vënë gurthemelet e TV-së kanë ditur që edhe këtë presion të pushtetit të atëhershëm ta anashkalojnë dhe kanë bërë punë tejet profesionale, sidomos me kronikat e para televizive, me emisionet dokumentare, emisionet argëtuese dhe zbavitëse, dhe kanë ditur që t’i ikin atij segmenti politik dhe kanë bërë emisione që sot e kësaj dite ne kemi filluar që të shpalosim arkivin tonë dhe po ngazëllehemi me punën që e kanë bërë të parët në këtë radio televizion”,- deklaroi zëvendësdrejtori i RTVM-së, Harun Ibrahimi.
Ibrahimi: Programi 24 orësh varet nga ministritë
Emetimi i programit 24 orë në gjuhën shqipe, sipas Ibrahimit, pritet të bëhet realitet pasi të tejkalohen barrierat e shkaktuara nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Ministria e Financave.
“Kjo varet kryekëput nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe nga Ministria e Financave. E para nuk na lejojnë që të kalojë sistematizimi dhe e dyta nuk na jep mundësi financiare që të mund të jetësohet 24 orë në gjuhën shqipe. Por, përsëri po them, po ngel me shpresën se së shpejti do të na kalojë sistematizimi në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe që të mund të punësojmë kuadro të ri, të mund të zgjidhim problemin kuadrovik të brendshëm. Po ashtu edhe Ministria e Financave ka dy-tre vite që nuk na lejon të reja, që është një handikap për funksionimin normal të Servisit Publik, por në mënyrë të veçantë të TVM2”,- tha Ibrahimi.
TVM2, përpos bashkëpunimit me RTK-në, paralajmëron nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit edhe me TVSh-në në drejtim të shkëmbimit të emisioneve dhe dokumentareve të zhanreve të ndryshme.
MERAL ISMAILI
