Maqedoni
Shqiptarët në festë, shënohet Dita e Shkronjave të gjuhës shqipe
22.11.2019 10:56
Sot shqiptarët shënojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të njësuar Shqip....
Sot shqiptarët shënojnë 22 Nëntorin - Ditën e Alfabetit të njësuar Shqip. Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete, klube dhe shoqata të ndryshme. Kongresi miratoi vendimin që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave, duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Manastiri i asaj periudhe, ishte qendër e konsujve dhe u vlerësua si qyteti më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, nënkryetar ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi. Motra e tij, Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme pjesëmarrëse në këtë Kongres. Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, që i parapriu shpalljes së pavarësisë së trojeve shqiptare më 28 nëntor të vitit 1912.
22 nëntori - Dita e Alfabetit Shqip, përkujton jo vetëm rëndësinë e padiskutueshme të Kongresit të Manastirit për gjuhën shqipe, por edhe pikënisjen e një rrugëtimi historik për shqiptarët, pasi 50 delegatët e Kongresit me vendimet e tyre filluan lëvizjen që shënohet si moment kyç i historisë sonë, e që i orientoi shqiptarët e të gjitha trojeve, drejt kombeve të përparuar të botës perëndimore.
Në Manastir sot funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër. Megjithatë, shtëpia muze ende pret definimin përfundimtar të statusit pronësor dhe sivjet aty punohej, gjë që pamundësoi që kjo shtëpi të kthehej në epiqendër të aktiviteteve.
Edhe akademia solemne sot do të mbahet në Shkup. Megjithatë qyteti i Alfabetit ka një javë që është kthyer në epiqendër të akademive dhe promovimeve të librave të rinj, madje në këtë 111 vjetor atje u hap për herë të parë edhe konsullata e nderit e Shqipërisë. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është ditë feste.
