Çmimi shtetëror “22 nëntori”, fitues Adnan e Kimete Agai dhe David Hosaflok
Për herë të parë Maqedonia e Veriut ndan çmimin shtetëror “22 nëntori - Kongresi i Manastirit”...

Për herë të parë Maqedonia e Veriut ndan çmimin shtetëror “22 nëntori - Kongresi i Manastirit”. Fituesit e parë të tij janë Adnan e Kimete Agai dhe David Hosaflook. Adnan e Kimete Agai janë pishtarë të arsimit e kulturës shqiptare, që përkushtimin e tyre për arsimin shqip dhe kombin shqiptar, e paguan me diferencim të tejskajshëm, madje edhe me burg. Dr. Hosaflook është shtetas amerikan, e çmimin e merr për kontributin e jashtëzakonshëm në hulumtimin dhe studimin e Kongresit të Manastirit, e në veçanti për zbardhjen e fatit të familjes Qiriazi.
“Rrofshi e vazhdofshi me punë të këtilla edhe njëherë ju duam shumë që të gjithëve”,- tha fituesja e çmimit shtetëror “22 nëntori”, Kimete Agai.
“Një nga dëshirat e mia nga realizimet e mia më të mira kohëve të fundit kanë qenë nxerrja në dritë e punës së familjes Qiriazi dhe në emër të tyre po e pranoj këtë çmim”,- u shpreh studiuesi, David Hosaflook.
“Këtë kënaqësi duhet ta ndaj me gjithë opinionin, sepse ky rast ndodh për herë të parë dhe ky çmim do të vazhdojë të ndahet sa të jetë jeta”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Çmimi shtetëror “22 nëntori” u ndahet personaliteteve të shquara, që kanë dhënë kontribut të shquar për arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)
