Specializantët me vetëfinancim fituan, do të marrin rritje pagash si gjithë të tjerët

22.11.2019 17:21

130 specializantë me vetëfinancim, të cilët protestuan....

130 specializantë me vetëfinancim, të cilët protestuan pasi nuk përfshiheshin në rritjen e pagave si gjithë punonjësit e tjerë në shëndetësi, arritën fitoren e shumëpritur.

Marrëveshjet e tyre të punës do të ndryshohen e kjo mundëson rritjen prej 15% të pagave nga shkurti, njësoj si kolegët e tyre. Ministria e Shëndetësisë ka gati draft versionin me ndryshimet ligjore në mbrojtjen shëndetësore.

Përveç 15%, ata do të marrin edhe rritjet procentuale nga ky vit dhe nga 2018. Teksa një pjesë e specializantëve arritën të marrin atë që kërkuan, specializantët e stomatologjisë ende kërkojnë të drejtat e tyre.

“Nuk kërkojmë asgjë më tepër nga specializantët e tjerë. Duam marrëveshje deri në fund të vitit dhe pagesën e harxhimeve mujore njësoj si për specializantët e stomatologjisë së konkursit të 2016 dhe për të gjithë specializantët e tjerë”,- tha specializanti i stomatologjisë.

Nga shkurti rrogë do të marrin edhe specializantët privatë të regjistruar në konkursin e shtatorit. Në këtë mënyrë edhe ata do të barazohen me statusin e kolegëve të tyre që morën për herë të parë kompensim për punën në 2018. (Ardita Imeri, TVM2)