Beograd, Vuçiqi pret Pendarovskin

22.11.2019 18:21

Procesi i integrimit evropian dhe nisma për një mini shengen rajonal...

Procesi i integrimit evropian dhe nisma për një mini shengen rajonal janë diskutuar edhe në takim mes presidentit të Republikës, Stevo Pendarovski, dhe presidentit serb, Alaksandër Vuçiq.

Vuçiq i pasigurt në perspektivën evropiane, favorizon “mini shengenin” rajonal

Serbia përkrah integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, por e zhgënjyer nga samiti i tetorit dhe ideja franceze për një metodologji të re, konsideron se vendet e rajonit duhet të përforcojnë bashkëpunimin.

Sipas presidentit serb, Bashkimi Europian për momentin nuk e ka të qartë perspektivën e vet dhe as të rajonit.   

“Unë, publikisht, jo që kam përkrahur, por edhe i kam lutur anëtaret e BE-së që të votojnë për hapjen e kapitujve me Shkupin dhe Tiranën, gjë që ndodh rrallë, por që tani vetëm kështu do të sillem, do tregojmë se mund të mbrojmë interesat e të tjerëve në rajon. Mirëpo, jam racional dhe kuptoj se ata në BE kanë probleme dhe interesa të veta. Çfarë t’i sqaroni dikujt që ka zgjedhje lokale në mars dhe ku askush nuk do të dëgjoj për ne. Dhe tani, ai të humb shanset e veta në zgjedhje për ne?! Prandaj ne këtu duhet të dakordohemi dhe të punojmë mirë”,- deklaroi kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pendarovski: Nisma të përfshijë 6 vendet e rajonit

Bashkëpunimi rajonal, përfshirë edhe nisma e fundit për një mini shengen, nuk janë zëvendësim për procesin e integrimit evropian, por proces komplementar me integrimin në BE, konsideron presidenti, Stevo Pendarovski.

Ai konsideron se nisma është e mangët pa përfshirjen e Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovën.  

“Mini shengeni është nismë e shkëlqyer rajonale. U bëj thirrje të gjithëve që janë përfshirë që të tërheqin në këtë koncept edhe vendet e tjera. Është mirë që të gjashtë shtetet të jenë brenda këtij koncepti dhe në Ballkan të fillojmë të sillemi si evropianë pa presion të jashtëm”,- theksoi kryetari i Republikës, Stevo Pendarovski.

Pendarovski e Vuçiqi ranë dakord se dy vendet fqinje kanë bashkëpunim të mirë dhe se çështja e vetme për të cilën kanë qëndrime të ndryshme është Kosova. Ndërkaq, përcaktimi i Maqedonisë së Veriut për t’u bërë vend anëtar i NATO-s nuk do të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë, e cila është përcaktuar për status neutral luftarak dhe marrëdhënie të mira me Rusinë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)