Akademi solemne për Ditën e Alfabetit, gjuha bashkon e nuk përçan, vlerë multietniciteti

22.11.2019 21:35

Gjuha bashkon e nuk përçan....

Gjuha bashkon e nuk përçan. Vlerë e shtetit është pikërisht shoqëria multietnike, të cilin duhet ta kultivojmë pasi është një thesar i pasur, që kontribon në pasurimin e demokratizimimit të shoqërisë tonë.

Ky mesazh u dha në akademinë solemne me rastin e ditës së alfabetit të gjuhës shqipe. Zv.kryeministri,  Sadulla Duraku theksoi se edhe pas unifikimit të alfabetit, gjuha shqipe edhe më tej u përball me sfida nga më të ndryshmet në të kaluarën, andaj tha se duhet nxjer mësim nga e kaluara.

“Një shtet multietnik nënkupton edhe përdorimin e gjuhëve të ndryshme, jo në dëm të gjuhëve të tjera, por si vlerë kulturore që begaton shoqërinë. Gjuha duhet të jetë elementi kyç i bashkëpunimit në mes bashkësive etnike sepse është elementi themelor i identitetit të kombit. Pasuria e këtij vendi është diversiteti dhe ne duhet të përfitojmë të gjithë nga ky shans i mrekullueshëm” – u shpreh zv.Kryeministri, Sadulla Duraku.  

Kryeparlamentari, Talat Xhaferri, nga ana tjetër bëri të ditur se gjuha është një prej të drejtave themelore e që kontribon në njohjen më të mirë mes njerëzve.

“Dua të shpreh faleminderim ndaj të gjithë bashkëqytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore të cilët me prezencën e tyre këtu, por edhe gjithë veprimin e tyre institucional tregojnë qartë se vetëm shoqëritë qytetare me qytetarë që gëzojnë të drejta dhe kanë poashtu obligime të njëjta mund të jenë motori i cili e çon përpara shtetin tonë” – deklaroi Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferri.

Shqiptarët duhen respektuar si qytetarë me të drejta të barabarta  nga bashkështetasit e tyre,  ishte mesazhi i kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, pasi sipas tij shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë shtet rezervë.

“Nuk mund të ishte kongresi i Manastirit i suksesshëm nëse nuk do të mbështeteshe ose nuk do të ruheshe nga bashkëkombasit e tu zoti kryeministër të përkatësisë maqedonase. Nuk do të ishte e suksesshme as Kryengritja e Ilindenit dhe marrëveshja që u bë e përbashkët mes bashkëkombasve tuaj dhe të mi, që të mos jetojmë më në robëri dhe nën perandori, por të jemi të mëvetësishëm. Zoti kryeministër, këto janë dy momente të rëndësishme që neve duhet të na inkurajojnë dhe të motivojnë, por edhe tu shpjegojmë komuniteteve tona se në të kaluarën kanë ditur të respektojnë dhe të ndërtojnë  vlera dhe këto vlera duhet të na bëjnë krenarë dhe më komunikues” – theksoi numri një i BDI-së, Ali Ahmeti.

Kreu i Qeverisë, Zoran Zaev, duke uruar shqiptarët tha se do të mbetet i përkushtuar në respektimin e të drejtave të të gjitha etnive në vend.

“Kjo është vetëm një nga ngjarjert e shumta të organizuara me respekt të madh këtyre ditëve me rastin e ditës së alfabetit, me çka edhe njëherë e veërtetojmë angazhimin e Qeverisë në respektimin dhe përparimin e diversitetit etnik dhe kulturor” – deklaroi Kryeministri i vendit, Zoran Zaev.

Akademia solemne u pasurua me një program të begatë kulturoro-artistik. (Ersan Pajaziti, TVM2)