Maqedoni
Projekti i Sh.F Vizbeg në rrugë të mbarë, MASh: Pritet përfundimi i procedurave në komunë; Komuna e Butelit: Morëm çertifikatën nga katastri
23.11.2019 16:00
Projekti për ndërtimin e shkollës fillore në Vizbeg është në rrugë të mbarë...

Kështu vlerëson numri 1 i dikasterit të Arsimit Arbër Ademi, i cili shton se deri më tani ishte pengesë plani arkitektonik urbanistik i cili tashmë është finalizuar.
Sipas tij MASH nga Komuna e Butelit pret çertifikatën e planit arkitektonik urbanistik dhe elaboratin me të dhëna numerike që do i mundësonte MASh it të fitojë lejen e ndërtimit dhe të shpall tenderin për ndërtimin e shkollës fillore në Vizbeg.
“Shpresoj në bazë të kontakteve që i kemi me Komunën e Butelit që këytre ditëve të na e dërgojnë çertifikatën,vërtetimin apo ekstraktin nga plani arkitektonik urbanistik dhe elaborati me të dhëna numerike që janë parakusht për të aplikuar për leje të ndëertimit ,pastaj lejea e ndërtimit është procedurë e cila zhvillohet nga vet Komuna ,po shpresoj të jenë ekspeditiv në këtë drejtim dhe ta kemi të njejtën sa më parë”, u shpreh ministri i arsimit Arbër Ademi.
Se si po rrjedhin proceduart ligjore për këtë cështje TVM 2 kërkoi sqarim nga Komuna e Butelit prej nga morrëm përgjigje me shkrim ku thuhet.
“Është marrë vërtetimi për çertifikimin e planit arkitektonik urbanistik, nga Agjensioni i Kadastrës së Patundshmërive. Në bazë të këtij dokumenti, përgadisim çertifikatën e planit detal urbanistik dhe kërkesën për përgaditjen e elaboratit gjeodezik me të dhënat numerike, për planin arkitektonik urbanistik. Kur të jenë të gatshme të dhënat numerike do ta dorëzojmë dokumentacion deri te MASH, e ministria duhet të aplikojë për lejen e ndërtimit deri te Komuna e Butelit”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
Deri në përfundimin e procedurave ligjore për ndërtimin e shkollës fillore në Vizbeg, rreth 800 nxënësve u mbetet të udhëtojnë cdo ditë deri në shkollat e Çairit dhe Shuto Orizares me minibus apo transport vetanak, edhe pse toka për ndërtimin e shkollës fillore është ndarë qysh në vitin 2005.
FLUTURA LATIFI
