Maqedoni
Vazhdojnë projektet infrastrukturore në Tearcë
22.09.2014 14:45
Komuna e Tearcës, vazhdon përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha vendbanimet...

Problemi me rrugët e pashtruara tani ka përfunduar në tre vendbanime, në fshatin Dobrosh, në fshatin Gllogjë dhe në fshatin Përshevc.
Sot, komuna ka filluar shtrimin e rrugës me pllaka bekatoni në fshatin Nerasht, me gjatësi 1 kilometër dhe gjerësi mbi 4 metra.
“Me përmirësimin e infrastrukturës së kësaj rruge periferike, pasi bëhet fjalë për një rrugë me perspektivë për banorët e këtij vendi, me gjatësi prej 1 kilometër, e cila drejtpërdrejt e lidh këtë fshat me fshatin Dobrosh. I përgëzojmë për iniciativën, pasi ky është një investim i përbashkët i banorëve dhe i Komunës së Tearcës. Ne këtij fshati i kemi ndërtuar perspektivë veçanërisht me ndërtimin e rrugës në drejtim të Komunës së Sarajit. Para një viti përfundoi arteria kryesore që lidh Komunën e Tearcës dhe Sarajit, me gjatësi prej 2 kilometra dhe 5 metra gjerësi. Rruga është asfaltuar dhe është një investim me vlerë prej rreth 200 mijë euro”- deklaroi kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani.
“Ne kërkojmë që edhe rrugët e tjera të rregullohen, si rruga për në fushën e sportit që është e parregulluar, të rregullohet edhe arteria lidhëse me fshatin Batincë”- kërkojnë banorët lokal.
Nerashti është edhe një nga fshatrat me numër më të madh të popullsisë nga 15 fshatrat sa gravitojnë gjithsej në Komunën e Tearcës.
Kreu i komunës, Isen Asani, premton edhe punimin në asfaltimin e rrugëve të tjera, sidomos të rrugës që do ta lidhë këtë komunë me Republikën e Kosovës.
MIFTAR EMINI
