Maqedoni
MPJ, reagim ndaj ambasadorit të ri amerikan
22.09.2014 16:40
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, ka reaguar ndaj përdorimit të emërtimit “sllav” nga ana e ambasadorit të ri amerikan, Xhes Bejli...

Për t’i shprehur reagimin, Ministria e Jashtme ka thirrur sot zëvendësambasadorin amerikan, Barton Putney.
Kjo bëhet e ditur në një komunikatë të lëshuar për media nga Ministria e Jashtme, në të cilën thuhet: “Sot, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë u thirr zëvendësambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, të cilit iu shpreh shqetësimi për shkak të emërtimit të pjesëtarëve të popullsisë shumicë maqedonase si “sllavë” nga ana e ambasadorit të ri të emëruar të SHBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli, në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit më 17 shtator 2014”.
Emërtimi i tillë vë në pikëpyetje çështjen e identitetit dhe i fyen ndjenjat e popullit maqedonas, theksojnë nga MPJ, sipas të cilës emërtimi i papërshtatshëm i popullit maqedonas gjithashtu mund të prodhojë implikime negative në planin e jashtëm dhe të brendshëm politik. Në fakt, reagimi i Ministrisë së Jashtme vjen pasi ambasadori Bejli, duke folur në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, theksoi se
“Në strukturën e shoqërisë maqedonase ka më shumë se sa vetëm sllavë dhe shqiptarë, ka turq, romë dhe të tjerë dhe kjo është një “mikro” mënyrë për pasurinë e Ballkanit dhe të bashkohet e gjithë kjo popullatë në një të ardhme të përbashkët.
Po ashtu, ambasadori i ri amerikan, Bejli, shprehu angazhimin e tij dhe mbështetjen amerikane për të ndihmuar Maqedoninë për inkuadrim në strukturat euroatlantike.
FLUTURA LATIFI
