Maqedoni
Filloi manifestimi “Tingujt e Çarshisë”
22.09.2014 17:08
Me program të pasur kulturo-artistik, u shpall i hapur manifestimi mbarëkombëtar “Tingujt e Çarshisë”...

Me program të pasur kulturo-artistik, u shpall i hapur manifestimi mbarëkombëtar “Tingujt e Çarshisë”, i cili tradicionalisht shënohet për të 9 herë. Ajo që e bën këtë vit manifestimin më të veçantë është se në kuadër të tij mbahet edhe “Java arbëreshe”, e cila organizohet nën patronatin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
“Sot këtu jemi të tubuar, ku kemi bërë hapjen e këtij manifestimi, i cili do të zgjasë sot tërë ditën dhe i ftoj qytetarët”- u shpreh Sermine Purrini nga Qendra Informative Kulturore – Shkup.
“Ky është vetëm një fillim i mbarë i ngritjes së urave ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë dhe arbëreshëve në Itali, të cilët kanë për të promovuar shumë vlera evropiane dhe për të treguar se është ruajtur me xhelozi vlera kombëtare në Itali”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Është një rast i bukur, javë takimesh dhe kontaktesh, që favorizon bashkimin midis popujve dhe jemi bashkë me ju të marrim pjesë në këtë festë shumë të bukur”- theksoi profesori nga Kalabria, Francesko Azzinari.
Program argëtues, koncerte muzikore, rok grupe, këngë popullore do të performohen në Çarshi të Vjetër të Shkupit, i cili manifestim jo vetëm që do të ndikojë në dëfrimin dhe njohjen mes veti të të pranishmëve, por do të kontribuojë edhe në ngritjen ekonomike të bizneseve të vogla që janë në këtë lokacion, thonë përkrahësit e manifestimit.
“Javë, që ka për qëllim të bëjë avancimin e jetës kulturore, avancimin e jetës ekonomike në Çarshinë e Vjetër, Çarshi e cila është një ndër qendrat më të mëdha në Ballkan dhe rajon”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
“Do të vazhdojë të përkrahet ky manifestim. Pasi ky eveniment kontribuon për zhvillimin e Çarshisë, për zhvillimin dhe kultivimin e vlerave tona autentike në Çarshi, veçanërisht inkurajon bashkëpunimin mbarëkombëtar”- potencoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behxhiudin Sheapi.
“Nga ky vend dua të dërgoj mesazhin e përbashkët. Ja vlen që “Tingujt e Çarshisë” ta vazhdojnë misionin e tyre fisnik”- u shpreh përfaqësuesi nga Qyteti i Shkupit, Xhevdet Veseli.
Në kuadër të manifestimit, do të shënohet 200 vjetori i Jeronin de Radës, do të ketë vëllazërim mes Komunës së Çairit dhe komunave të tjera shqiptare në Maqedoni me komunat që udhëhiqen nga kryetarët arbëreshë në Kalabri dhe Sicili, do të hapen shtigje për bashkëpunim mes Universitetit të Evropës Juglindore, USHT-së me Universitetin e Kalabrisë, tha kryetari i Komunës së Çairit, Mexhiti.
RINA TURKESHI-SAITI
