Botë

Franca plan masash kundër dhunës ndaj grave, 117 viktima vetëm këtë vit

25.11.2019 15:42

Qeveria franceze ka prezantuar një plan masash për të forcuar luftën kundër abuzuesve të grave....

Duke folur të hënën në kuadër të Ditës Botërore të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave, kryeministri francez Edouard Philippe tha se paketa do i kushtojë shtetit 360 milionë euro çdo vit dhe do kalojë në parlament nga janari.
 
Nisma qeveritare parashikon zgjerimin e konceptit ligjor të dhunës dhe mësimin rreth saj nëpër shkolla, sinjalizimin e thjeshtë të rasteve nga doktorët, konfiskimin e armëve dhe pajisjen e abuzuesve me byzylykë elektronikë, dënimin e rasteve të kanosjes deri në 10 vite burg, dhe ndërtimin e strehëve të reja për viktimat e dhunës.
 
"Këto masa do të jenë elektroshoku që i nevojitet shoqërisë tonë, për t'i trajtuar rrënjët e dhunës që në moshë të vogël,"-deklaroi kryeministri Philippe.
 
Këtë vit, Franca ka regjistruar 120 raste të grave të vrara nga partnerët apo ish-partnerët, apo të shtyra drejt vetëvrasjes.
 
Situatën e rëndë është pranuar edhe presidenti Emmanuel Macron, që e ka cilësuar turp kombëtar.
 
"Qeveria duhet të bëjë diçka për ne. Po na gjuajnë, po na turpërojnë, po na çnderojnë. Zëri ynë me zor po dëgjohet nga qeveria, policia e gjykatat, dhe kjo duhet të marrë fund,"- deklaroi një viktimë e dhunës në familje.
 
Krah saj, marshuan në fundjavë rreth 50 mijë qytetarë të Parisit në mbështetje të viktimave.
 
Demonstrata të tjera u mbajtën edhe në kryeqytetet europiane, si Roma, Brukseli e Berlini.
 
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar ngritjen urgjente të një mekanizmi botëror për mbrojtjen e grave, duke ditur se 137 gra vdesin mesatarisht çdo ditë si pasojë e dhunës familjare./Ora News