Maqedoni

Ugrinovska akuzon Grubin për dëmet në TKM, Grubi: S’jam organizator, teatri s’është i partive

25.11.2019 17:15

Pas festimit të jubileut 30 vjeçar të grupit të tifozëve “Shvercerët”...

Pas festimit të jubileut 30 vjeçar të grupit të tifozëve “Shvercerët”,  drejtoresha e Teatrit kombëtar maqedonas, Simona Ugrinovska, ka paraqitur dëme materiale. Eskalimi i festës në një ekzaltim që rezultoi me këto dëme, sipas saj, është bërë me lejen e deputetit të BDI-së, Artan Grubi. Ky i fundit i sheh akuzat e tilla si deklarime që shfrytëzohen për  propagandë parazgjedhore.
 
“Mendoj se reagimet janë absurde, janë keqpërdorim me qëllim klasik për propagandë politike parazgjedhore. Unë nuk jam organizator i ngjarjes, por potencoj se teatri është i qytetarëve dhe jo i VMRO-së apo i LSDM-së. Ai është ndërtuar me paratë tona dhe jo me para të VMRO-së dhe të fellës. Teatri i përket qytetarëve.”,- tha deputeti i BDI-Së, Artan Grubi.
 
Dëmet materiale në TKM, Zaev: Dhuna dhe vandalizmi duhen dënuar
 
Kryeministri Zaev nuk ishte i informuar për rastin në fjalë. Megjithatë kërkoi përgjegjësi dhe dënim të çdo akti vandal.
 
“Duhet të mbahet përgjegjësi për vandalizëm, për thyerje inventari, për diçka që është në pronë të shtetit. Nuk ka askush të drejtë të thyejë inventarin, duhet të përllogaritet dëmi dhe të mbahet përgjegjësi. Unë isha në pjesën e parë të manifestimit e më thanë që ka një pjesë të dytë për të rinjtë, por doli që ajo nuk ka qenë manifestim aq kulturor. Duhet të bartin përgjegjësi personat përgjegjës për atë punë.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
BDI: Çdokush ka të drejtë të festojë, por pa dëme.
 
Nga BDI hedhin postë pohimet se në festimet e “Shfercerëve” ka pasur gjuhë urrejtjeje. Thonë se çdokush ka të drejtë të festojë, por të mos cenuar rendin dhe qetësinë.
 
“Për gjuhë të urrejtjes nuk jam informuar se ka pasur, por gjithkush mund të festojë në mënyrën e vet derisa ju përmbahet rregullave dhe nuk prishet rendi dhe qetësia pse të mos festohet, pse të mos kremtohen jubilej të caktuar, aq më tepër kur ata shënohen në institucione kulturore, pse të mos shënohen në institucione kulturore”,- theksoi Arbër Ademi nga BDI.
 
Ministria e Kulturës: Teatri nuk e dinte që do të festonin tifozët
 
Nga Ministria e Kulturës thonë se drejtoria e teatrit aspak nuk ka pasur njoftim se çfarë eventi do të mbahet mbrëmjen e së premtes në TKM. Njoftimi ka ardhur vetëm për dy evente, shënimi solemn i Ditës së Alfabetit dhe shfaqja e një filmi dokumentar, por Drejtoria e TKM-së në asnjë moment nuk e ka ditur se në teatër do të hyjnë grupe tifozësh,  sqarojë nga Ministria e Kulturës. Përgjegjësi kërkuan edhe nga VMRO-DPMNE, të cilët incidentin e konsideruan dhe si mosvlerësim të punonjësve të institucionit.
 
GAZMEND REXHEPI