Maqedoni
“Të mos isha president dhe unë do të ikja”, Pendarovski: Thashë vetëm të vërtetën
25.11.2019 17:18
Presidenti, Stevo Pendarovski, pranon që deklarata e tij në Novi Sad për migrimin e të rinjve mund të tingëllojë si demotivuese...

Presidenti, Stevo Pendarovski, pranon që deklarata e tij në Novi Sad për migrimin e të rinjve mund të tingëllojë si demotivuese, por tha se ajo është thënë në kontekst më të gjerë.
Pendarovski tha se ajo deklaratë nuk duhet të përdoret për përfitime politike, qoftë nga opozita apo pushteti.
“Nëse me vite të tëra nuk u japin shanse për të hapur kapituj dhe nëse ato bisedime zgjasin me vite të tëra, e kur tani ende jemi duke pritur një metodologji, të cilën nuk e dimë se si do të jetë, a do të prolongojë apo komplikojë procesin. Sikur të isha një i ri dhe kur t’i thoni një të riu prisni edhe 20-30 vite tjera, në ndërkohë standardi do të jetë 400 apo 500 euro, atëherë cili i ri do të thoshte po, unë do ta harxhojë jetën e vetme që kam, do të pres”,- tha kryetari i RMV-së, Stevo pendarovski.
Pikërisht politizimi i shoqërisë, sipas presidentit Pendarovski, është shkaktar kryesor për ikjen e të rinjve në vendet perëndimore. Ai fton politikanët të ulen bashkërisht e të përpilojnë strategji për të rinjtë, jo strategji për fushatat e tyre politike.
“Nëse dikush mendon se në kohën e kësaj partie është keq, kurse në kohën tonë nuk kanë ikur të rinjtë, ai gabon. Mos t’i gënjejmë qytetarët”,- u shpreh kryetari i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Presidenti Pendarovski këto deklarata i bëri pas takimit me sindikatat, ku u njoh nga afër me problemet dhe kërkesat e tyre.
ERSAN PAJAZITI
