Ekonomi
Propozim buxheti për vitin 2020, Angelovska: Fokusi në kapitalin njerëzor
25.11.2019 18:03
Komisioni për Financa dhe Buxhet ka nisur debatin për propozim-buxheti për vitin 2020....

Ministrja e Financave, Nina Angellovska, tha se në fokus do të jetë kapitali njerëzor, gjegjësisht shëndetësia, arsimi, sistemi social dhe përkrahja e zhvillimit ekonomik.
“Ky buxhet është i fokusuar në investimet tek kapitali njerëzor, pasi që si vend jemi të nënshtruar para një sfide të madhe se si t’i mbajmë qytetarët tanë në vend, si t’u ofrojmë kushte më të mira për jetë dhe si të kontribuojmë që të jenë më të lumtur dhe më të motivuar në vendet e tyre të punës. Në vitin 2020 seriozisht do të investojmë për shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë, kujdes më të mirë social dhe në përgjithësi kushte më të mira për jetë për të gjithë qytetarët tanë.”,- deklaroi ministrja e Financave, Nina Angelovska.
Dimovski: Ngec realizimi i investimeve në arsim
Por, VMRO-DPMNE investimin në kapitalin njerëzore e ka quajtur populizëm të pastër. Sipas tyre, investim në kapital njerëzor do të thotë investim në dituri dhe jo në shpenzime për rroga.
“Pohimi se me këtë buxhet investohet në kapitalin njerëzor është i papranueshëm, pasi që sipas të gjitha definicioneve moderne me investim në kapital njerëzor nuk nënkuptohet 2,3 apo 5 mijë denarë shpenzime shtesë për rroga, por nënkupton investim në diturinë e njerëzve. Ky është kapitali te njerëzit, por kjo ne na ndodh në periudhë kur investimet në arsim realizohen 30% nga parashikimet na ndodh në periudhë kur vetëm 10% nga programi qeveritar në fushën e arsimit nga viti 2017 deri më tani është realizuar”,- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Ismaili: Investimet në kapitalin njerëzor, të duhura
Nga BDI thonë se ky propozim buxhet pasqyron realitetin në shtetin tonë. Sipas tyre investimet në kapitalin njerëzor janë një mundësi për ta ndalur trendin e ikjes së të rinjve nga vendi.
“Kur duhet të merreni me ndaljen e trendit të ikjes së popullatës së re dhe ekspertëve nga vendi dhe zgjidhjes së një problemi i cili me dekada ka qenë barrë dhe ende është barrë për këtë gjeneratë të politikanëve, sot pra të gjeneratës së transicionit, unë nuk di se çfarë buxheti duhet të biem përveç se të investojmë në të gjitha gjeneratat edhe të rejat edhe të moshuarat, sepse së fundi e kemi borxh të investojmë te ato”,- u shpreh Rexhail Ismaili nga BDI.
Sipas propozim-buxhetit qeveria planifikon të shpenzojnë 3.9 miliardë euro, ndërkaq të mbledhë 3.6 miliardë euro. Planifikimet për rritje ekonomike janë 3,8% nga BPV-ja, ndërsa deficiti buxhetor do të jetë 2.3%.
NAIM RAMADANI
