Botë

Kosovë, KQZ nuk i shpall rezultatet, pret Kushtetuesen

25.11.2019 18:16

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ende nuk ka shpallur rezultatet pas rinumërimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ende nuk ka shpallur rezultatet pas rinumërimit, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme që të numërohen edhe 392 pako me fletëvotime të ardhura nga diaspora. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se certifikimi i zgjedhjeve do të mund të bëhet pas vendimit të Gjykatës Supreme. 
 
“Kemi marrë konfirmim se në Gjykatën Supreme është parashtruar ankesë ndaj vendimit të një dite më herët të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, prandaj rezultatet pas procesit të rinumërimit nuk mund t’i publikojmë në këtë fazë. Rezultatet nuk mund të publikohen pa një konfirmim nga PZAP-ja dhe nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë çështje në shqyrtim”,- u shpreh zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
 
Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Supremes me kërkesën për numërimin e 392 pakove me vota nga diaspora. Sipas VV-së, Gjykata Supreme duhet të rikonfirmojë edhe njëherë këtë të drejtë dhe të urdhërojë numërimin e tyre pa humbur kohë. Gjykata Supreme ka afat 72 orë për të vendosur lidhur me ankesën në fjalë.
 
GYLTENE SINANI