Maqedoni

Shtesat për prokurorët e PSP-së, Zaev: Të mos njollosim prokurorët specialë

25.11.2019 18:32

Pas bërjes publike të të dhënave për bonuse të prokurorëve specialë...

Pas bërjes publike të të dhënave për bonuse të prokurorëve specialë, kryeministri Zaev thotë se nuk mund të lejohet që ndaj tyre të hidhet njollë. Sipas tij, duhet gjithsesi që sqarime të japin vetë ish prokurorët dhe prokurori shtetëror, Lubomir Jovevski, e jo kryeministri.
 
“Nuk do të lejoj të hidhet njollë ndaj prokurorëve publikë. Ekziston hetim për prokurorin shtetëror special, por për të tjerët nuk është korrekte. Duhet t’i pyesim dhe ata vetë të tregojnë të gjitha detajet, tërë analizën, cila është ajo pjesë që është marrë si kompensim në pjesën e shtesës, për sigurinë e materialeve për seriozitet apo besueshmëri dhe cila është paga e vërtetë nominale që e kanë marrë prokurorët specialë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Shtesat për prokurorët e PSP-së, DAP pret kërkesë eventuale nga Prokuroria
 
Kryeprokurori Jovevski paralajmëroi kontroll për bonuset e paguara në PSP. Nga DAP nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim, sepse për një gjë të tillë fillimisht duhet të marrin urdhër nga Prokuroria.
 
“Ne presim që nëse marrim udhëzime ose kërkesë nga prokuroria si një institucion me të cilin bashkëpunojmë vërtetë me sukses, do të veprojmë në atë domen”,- u shpreh drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska.
 
Të dhënat nga platforma qeveritare “Financat e hapura”  treguan se nga formimi deri te shpërbërja e Prokurorisë Speciale, prokurorëve u janë paguar  kompensime shtesë për besueshmëri. Më shumë të holla kompensimi ka marrë ish kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, të cilës shtesat mbi rrogën i kanë kapur shifrën e 157 mijë eurove. Pas saj janë paguar me 107 mijë euro, Elizabeta Josifovska, mes 80 dhe 93 mijë euro prokurorët, Fatime Fetai, Burim Rustemi, Lile Stefanova, Trajçe Pelivanov, Gavril Bubevski dhe Lençe Ristovska. Të gjitha pagesat janë bazuar në nenin 14 të Ligjit të PSP-së, që qartë thotë se prokurorët specialë kanë të drejtën të kompensimit për rrezikun e lartë dhe kompensim për besueshmërinë, por në ligj lartësia e bonusit nuk përcaktohet saktë dhe ka qenë vetë Janeva që ka përcaktuar shumat që do të marrin prokurorët specialë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU