Maqedoni
Vdes në rrethana të panjohura i burgosuri, Drejtoria: S’ka shenja dhune, presim autopsinë
25.11.2019 19:15
Një 22 vjeçar ka vdekur në burgun Këshanjë të Kumanovës. Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve...

Një 22 vjeçar ka vdekur në burgun Këshanjë të Kumanovës. Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve, në një komunikatë për opinionin sqaron se i burgosuri L. M. ka vdekur në gjumë.
Gjatë kontrollit mjekësor nuk janë vërejtur shenja dhune dhe i njëjti ka qenë i vetëm në dhomën e burgut.
“Rreth orës 7:30, gjatë kontrollit të rregullt të mëngjesit për praninë e personave të dënuar, komandanti kujdestar së bashku me mbikëqyrësin e ri në detyrë, gjithashtu pjesëtar i Policisë së Burgut, në katin e parë të burgut, në dhomën ku ka qëndruar i burgosuri L. M. ( 22 vjeç), e kanë gjetur në shtratin e tij në pozitë si në gjumë, pa shenja jete. Menjëherë është thirrur Ndihma e shpejtë, e cila në burg ka arritur në orën 8:15, por nuk ka mundur të bëjë asgjë, pasi që L. M. tashmë ishte i vdekur. Gjithashtu është konstatuar se nuk ka pasur shenja të dhunës”,- sqarohet në njoftim.
Edhe pas kontrollimit dhe shikimit të video-xhirimeve, është konstatuar se askush nuk ka hyrë në dhomën e tij dhe nuk është vërejtur asgjë e pazakonshme natën para kësaj ngjarjeje.
Më shumë hollësi do të dihen pas përfundimit të autopsisë. L. M. paraprakisht ka qenë në burgun për të mitur në Ohër, ku po vuante dënimin prej një viti, është sjellë në burgun e Kumanovës para 10 ditësh për të kryer periudhën e fundit të dënimit që i përfundonte pas tre javësh.
FATLUM AQIFI
