Botë
Paketa kundër grupit “Kap ç’të kapësh”, luftë edhe korrupsionit në sistemin qeverisës. PD: Rama ia merr kompetencat Antikorrupsionit
25.11.2019 20:00
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, prezantoi paketën kundër grupit KÇK, “Kap ç’të kapësh”...

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, prezantoi paketën kundër grupit KÇK, “Kap ç’të kapësh”, që i referohet të gjitha grupeve kriminale dhe gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar.
Nisma e prezantuar do të jetë e përqendruar edhe kundër korrupsionit në të gjithë sistemin qeverisës.
Sipas shefit të qeverisë, paketa e re ligjore do t’i trajtojë pa mëshirë të gjithë shkelësit e ligjit, të cilët vendin e kanë në burg.
“Ky nuk është një proces penal, por administrativ i duhet vënë kufi i qartë KÇK-së, sepse kur një anëtar i saj shkel ligjin askush nuk vepron. Nëse ne nuk e bëjmë këtë do bëhet nami në vend, do kemi çdo javë shfaqje tërbimi të shkeljes së ligjit”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Për Partinë Demokratike, kjo nismë provokon shtetasit shqiptarë dhe ndërkombëtarët, pasi ia merr kompetencat Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, e cila fillon funksionimin më 19 dhjetor.
“Në thelb, Ligji RKÇK – Rama “Kap ça t’kapësh” – nuk ka asnjë masë të re domethënëse nga ligjet ekzistuese kundër krimit të organizuar dhe mafias. Masat e prezantuara janë sot ose në Kodin Penal, ose në Ligjin antimafia. E reja e vetme e Ligjit “Rama Kap Ça t’kapësh” është marrja e kompetencave”,- u shpreh sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi sot 8 anëtarë të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, të cilët betohen në muajin dhjetor. SPAK do të hetojë pikërisht rastet e zyrtarëve të korruptuar.
LULJETA NDOKA
