Maqedoni

“Java evropiane e qarkullimit” u shënua edhe në Tetovë

22.09.2014 17:49

Në kuadër të “Javës evropiane të qarkullimit”, sot në Tetovë u bë shënimi i “Ditës pa automjete”, me çka edhe u lëshua në përdorim shtegu për biçikleta në bulevardin Ilirija në Tetovë...

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, theksoi se ky shteg, i cili shtrihet përgjatë bulevardit, do të mundësojë qarkullim të lirshëm dhe më të sigurt për biçikletat.
 
“Duke pasur parasysh që është “Dita ndërkombëtare e lëvizjes pa makina”, të cilat e ndotin ambientin, në fakt edhe Komuna e Tetovës i është bashkangjitur këtij aktiviteti, që normalisht është në bashkëpunim me shkollat. Tendenca jonë është që sa më tepër të lëshojmë hapësira për lëvizje edhe të këmbësorëve, do me thënë të lëvizjes me biçikleta, me qëllim që në distanca të vogla njerëzit sa më pak të përdorin makinat e tyre”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Me shtegun për biçikleta, Komuna e Tetovës ka për qëllim të ndikojë në ngritjen e vetëdijes qytetare për përdorimin e biçikletave si mjet qarkullimi, i cili ndikon pozitivisht në rruajtjen e ambientit jetësor nga ndotja, por njëherit lëvizja me biçikleta ka edhe beneficione të shumta për sa i përket shëndetit.
 
MIFTAR EMINI