8 viktima deri tani nga tërmeti 6.4 ballë në Shqipëri, ka ende njerëz nën rrënoja
Deri më tani si pasojë e termetit me magnitudë 6.4 që goditi Shqipërinë....

Deri më tani si pasojë e termetit me magnitudë 6.4 që goditi Shqipërinë zyrtarisht janë shënuar 8 viktima. Ndërkohë mbi 320 persona po marrin ndihmë mjeksore në Tiranë dhe Durrës.
Viktimat janë banorë të Durrësit, Kurbinit dhe Thumanës. Ekipet mjekësore janë në gjendje gatishmërie të plotë si në Tiranë, Durrës dhe gjithë Shqipërinë.
Ndërkohë Policia e Shtetit u kërkon gjithë qytetarëve të Durrësit dhe rrethinave të kufizojnë në maksimum lëvizjet me mjetet e tyre.
Kjo për t’u dhënë mundësi autoriteteve dhe shërbimeve të emergjencave civile të qarkullojnë lirshëm në rrugë dhe për t’ju ofruar ndihmën e nevojshme banorëve të lënduar nga pasojat e tërmetit të mëngjesit të sotëm.
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka mbërritur në Thumanë pranë banorëve të dëmtuar më rëndë nga tërmeti. Kreu i Shtetit e ka përshkruar dramatike situatën duke kërkuar të bëhet çdo përpjekje për të nxjerrë banorët nën rrënoja.
“Situata mjaft dramatike. Po bëhet çdo përpjekje për të nxjerrë banorët nën rrënoja”, u shpreh Meta.
Edhe Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me situatën e jashtëzakonshme që ka përfshirë Shqipërinë.
“Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë. Eshtë një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë,të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje se bashku. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë dhe me miqtë e mëdhenj në krah do ta kalojmë edhe këtë situate”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Ministria e Arsimit ka njoftuar se është pezulluar mësimi për ditën e sotme në Tiranë dhe Durrës.
