Maqedoni
Dimitrov pret homologun grek Dendias, bisedimet për RMV-në kanë rëndësi ballkanike
26.11.2019 14:55
Fillimi i bisedimeve të RMV-së me BE-në është me rëndësi për tërë Ballkanin Perëndimor...

Fillimi i bisedimeve të RMV-së me BE-në është me rëndësi për tërë Ballkanin Perëndimor, sepse me këtë rrugëtim rajoni hyn në një realitet tjetër, tha ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, pas takimit me homologun në Shkup, Nikolla Dimitrov.
“Hyrja e RMV-së në BE si dhe i vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor paraqet dobi të përbashkët, qëllim të përbashkët dhe kalim të rajonit në një realitet të ri i cili do të mbështetet në vlera të BE-së. Në këtë kornizë, fillimi i bisedimeve është hap i rëndësishëm për qëllimin e Evropës për Ballkanin Perëndimor”,- tha ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias.
Dendias njëherit potencoi se raportet mes dy vendeve kalojnë nëpërmjet implementimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila dukshëm është jetësuar, por siç tha ai, nevojiten aktivitete të dyanshme për mbulimin e të gjitha vonesave për implementimin e marrëveshjes. Ministri Dimitrov sqaroi se dokumenti i Prespës ka hyrë në sistemin juridik të shtetit.
“Implementimi i marrëveshjes po rrjedh, kuptohet në raport me përmbajtjen dhe tekstin e marrëveshjes së Prespës pa marrë parasysh zgjedhjet e parakohshme”,- u shpreh ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Nga Shkupi, ministrin grek Dendias udhëtoi drejt Tiranës, siç tha ai, për të shprehur mbështetjen e Greqisë për katastrofën natyrore që e përjetoi popullata e Shqipërisë nga tërmeti.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
