Maqedoni
Kosova, ndihmë Shqipërisë pas tërmetit katastrofal
26.11.2019 15:43
Menjëherë pas tërmetit katastrofal në Shqipëri, Kosova ka ofruar ndihmën e saj....

Menjëherë pas tërmetit katastrofal në Shqipëri, Kosova ka ofruar ndihmën e saj, duke nisur drejt Durrësit dhe Thumanës mbi 200 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së Kosovës, si dhe dhjetëra trupa të specializuar për fatkeqësi natyrore. Rreth orës 10 ekipet e ndihmës nga Kosova kaluan kufirin në vendkalimin kufitar Morinë.
“Pas pranimit të informatës për fatkeqësinë në shtetin shqiptar, Qeveria e Kosovës dhe menaxhmenti i Policisë kanë vendosur të nisin një kontigjent të njësiteve speciale dhe kontigjent të FSK-së. Gjithashtu edhe një numër i agjencive të emergjencave për t’u dalë në ndihmë policisë dhe ushtrisë shqiptare në menaxhimin e kësaj situate emergjente”,- deklaroi pjesëtari i misionit të ndihmës nga Kosova.
Me të arritur në Shqipëri, trupat nga Kosova kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat 17 vjeçarin, Ramë Lala, djali që u bllokua në gërmadhat e vilës ku jetonte së bashku me familjarët, në ish kënetë. I riu fatmirësisht i shpëtoi vdekjes, por të paktën 3 prej familjarëve të tij janë nxjerrë të vdekur nga gërmadhat e banesës disakatëshe, e cila u rrëzua në orët e mesditës. Përveç trupave të shpëtimit, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme ka ndarë edhe 500 mijë euro ndihmë për zonat e prekura nga tërmeti.
“Në mëngjes kemi bërë përgatitjet e duhura që njësitet e specializuara për fat të mirë ushtria jonë është e përgatitur në kërkim shpëtim në këto raste, që menjëherë të ndërmarrin veprimet e duhura, njëkohësisht edhe policia. Po ashtu kemi autorizuar edhe kontaraktorë privatë, pasi është kërkuar makineri të rëndë nga institucionet e Shqipërisë, sepse kërkohet hapje e arritjeve deri te vendi i gërmadhave, i objekteve të rrënuara”,- u shpreh kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të cilit i ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë në këto situata të vështira, si dhe ka shprehur ngushëllime për viktimat. Tërmeti me epiqendër në detin Adriatik u ndje edhe në Kosovë, por siç njoftuan autoritetet, përveç frikës te qytetarët, nuk ka pasur dëme apo pasoja në njerëz.
GYLTENE SINANI
