Maqedoni
Tërmeti në Shqipëri, qytetarët: Ishte i frikshëm, keqardhje për viktimat. Qendra Sizmologjike në Shkup: jemi vetëm me 3 sizmologë, ta marrim më seriozisht
26.11.2019 17:23
Tërmeti shkatërrues prej 6.4 ballësh që goditi Shqipërinë, është ndjerë edhe në Maqedoninë e Veriut...

Qytetarët e anketuar nga TVM2 theksojnë se dëme materiale nuk kanë pasur, por lëkundjet kanë qenë të gjata dhe të frikshme.
Ata shprehën keqardhje për viktimat e shënuara në Shqipëri dhe apeluan autoritetet për ndihmë të menjëhershme në zonat e prekura.
“E kam ndjerë, ishte shumë i fortë, në orën 4 të mëngjesit dhe papritmas gjithë banorët e ndërtesës zbritën poshtë. Ndjehem shumë keq për atë që i ndodhi Shqipërisë”,- theksoi një qytetar.
“Ishte para orës 4. Keqardhje për këtë që i ndodhi shtetit fqinj. Nëse është e nevojshme le t’i ndihmohet, janë njerëz edhe ata. Ne e kemi shembullin më të mirë se si bota tregoi solidaritet kur Shkupi u godit nga tërmeti”,- u shpreh një qytetar.
“E pashë se si llamba luante, ishte e frikshme. Urgjentisht le t’i ndihmojmë Shqipërisë, nuk ka kohë për hamendje”,- theksoi një qytetar.
“Absolutisht duhet t’iu ndihmojmë, jemi vëllezër me Shqipërinë dhe duhet t’iu ndihmojmë patjetër. Edhe qeveria duhet, pasi i kemi fqinjë”,- tha një qytetar.
Nga Qendra Sizmologjike në Shkup ngrenë alarmin për numrin vogël të sizmologëve.
“Seria e lëkundjeve ka filluar nga dita e djeshme, konkretisht pas orës 20, e cila fillimisht filloi me lëkundje më të lehta e pastaj janë regjistruat edhe lëkundje më të fortë me 6.4 ballë. Duhet theksuar se kjo lëkundje është përcjellë me mijëra lëkundje më të dobëta. Pra, gjithë këto lëkundje janë regjistruar edhe nga aparatura e observatori sizmologjik në Shkup. Nëse do këto dridhje do të ndodhnin me epiqendër në vendin tonë, do të ishte e tmerrshme edhe për Qendrën Sizmologjike, për shkak se tashmë për një kohë të gjatë jemi vetëm 3 sizmologë të punësuar edhe përkundër apeleve që iu kemi bërë kompetentëve për punësime të reja”,- tha Dragana Çernih-Anastasovska nga Qendra Sizmologjike Shkup.
Nga Qendra Sizmologjike njoftuan se intensiteti i tërmetit në vendin tonë ka qenë 3 deri në 5 ballë, kurse më së shumti është ndjerë në qytetet, si Ohër, Strugë, Dibër, Gostivar dhe Tetovë.
ZEKIRIJA MEXHITI
