Maqedoni

Anëtarësimi në NATO, Bërns: Maqedonia e Veriut, anëtare e vlefshme

26.11.2019 17:49

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se Maqedonia e Veriut është e gatshme....

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se Maqedonia e Veriut është e gatshme që të jetë anëtarja e 30 e NATO-s dhe Samiti i radhës i Aleancës vetëm do ta formalizojë këtë fakt. ShBA-të presin që vendi të shfrytëzojë energjinë dhe momentin që buron nga ky proces për të vazhduar përpara dhe jo të shënojë kthim pas, theksoi ambasadorja, Kejt Bërns. Sipas saj, përveç formalizimit të anëtarësimit në NATO, vendi mund të fillojë negociatat edhe për anëtarësim në BE brenda disa muajsh. 
 
“Nga këndvështrimi i qeverisë sime, kur ishte koha që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e NATO-s, ajo ishte gati, armata ishte gati, institucionet ishin gati, çdo gjë ishte gati dhe kur të bëheni anëtarja e 30 e NATO-s, nuk do të ketë më asnjë diskutim për kontributin e këtij vendi në Aleancën e NATO-s. Në tryezë do të shihet si një anëtare e plotë dhe e vlefshme që ka bërë një punë të vështirë. Shpresoj se edhe ftesa për qasje në BE do të vijë shumë shpejt. Shpresoj për disa muaj. Por, dua të theksoj se duhet të mbeteni të fokusuar në reforma dhe ndryshimet sa u përket institucioneve demokratike dhe një ditë ju do të jeni vend i BE-së.”,- tha ambasadorja e ShBA-ve, Kejt Bërns.
 
Pendarovski: Benefite në mbrojtje dhe ekonomi
 
Anëtarësimi në NATO, para së gjithash, është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të vendit dhe rajonit, theksoi presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski, para studentëve të Universitetit “Amerikan Kolexh”.  
 
“Por, NATO nuk nënkupton vetëm siguri dhe stërvitje ushtarake, por edhe zhvillim, treg i ri pune dhe treg për kompanitë tona. P. sh. NATO ka shumë programe për diplomaci publike, për hulumtim dhe zhvillim në të cilat mund të marrin pjesë studentët, sektori civil dhe universitetet. Të kesh “standard të NATO-s”, d.m.th. se kompanitë tona do të kenë qasje në treg më të madh të vendeve anëtare të NATO-s, ku mund të ofrojnë shërbime dhe produkte.”,- u shpreh kryetari i Republikës, Stevo Pendarovski.
 
Kreu i shtetit tha se vendi do t’i përmbush të gjitha obligimet si vend anëtar, përfshirë edhe rritjen e buxhetit për mbrojtje në nivel 2% nga Bruto Prodhimi Vendor. Integrimi euroatlantik është proces që ka konsensus të gjerë politik dhe shoqëror dhe përforcon kohezionin e brendshëm, theksoi mes tjerash Pendarovski. 
 
SHPËTIM NUREDINI