Botë
Tërmeti në Shqipëri. BE, ShBA dhe shtetet tjera shprehin solidaritetin
26.11.2019 18:03
Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, Ambasada e ShBA-ve dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca....

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, Ambasada e ShBA-ve dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, si dhe zyrtarë të shumë vendeve kanë shprehur mbështetjen ndaj popullatën dhe autoriteteve në Shqipëri pas goditjes nga tërmeti. Në një postim në rrjetet sociale, David Sassoli, shkruan se “I gjendem pranë vëllezërve dhe popullit shqiptar. Europa është e juaja”.
Me mbështetje për popullin shqiptar në Shqipëri ka dalë edhe presidentja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Liliane Maury Pasquier, ku ka drejtuar një letër kryetarit të Parlamentit shqiptar, Gramoz Ruçi, ku ka shprehur solidaritetin për tërmetin e rënë sot në Shqipëri. Ndërsa Ambasada amerikane në Tiranë ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë pranë miqve tanë në Shqipëri, ashtu si amerikanët dhe shqiptarët kanë qëndruar gjithnjë pranë njëri-tjetrit në kohë të vështira. Edhe kancelarja gjermane ka shprehur mbështetje për Shqipërinë, ndërsa operacionit të kërkim-shpëtimit i janë bashkuar edhe skuadrat speciale të emergjencës nga 7 vende të tjera.
Autoritet turke dhe Gjysmëhëna e Kuqe njoftuan përkrahjen e tyre. Një ekip i shpëtimit, tre automjete, Ekipi Kombëtar i Shpëtimit Mjekësor dhe një avion i Shtabit të Përgjithshëm turk do të dërgohen në Shqipëri për të ndihmuar në punimet e kërkimit dhe shpëtimit në rajon, pas tërmetit shkatërrues.
Mesazh përkrahës ka dërguar edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili me anë të një statusi në Twitter ka njoftuar se ka nisur një grup nga Shtabi i Emergjencave i emërtuar “EMAK” në ndihmë të autoritete të vendit tonë. Qeveria e Rumanisë nisi një avion me 52 efektivë specialë për situata emergjencash civile dhe furnizime për përballimin e kësaj situate shumë të vështirë.
Edhe Kroacia, Serbia dhe Bullgaria kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit katastrofal.
FITIM KRYEZIU
