Maqedoni
Maqedonia e Veriut, ndihma dhe ngushëllime për Shqipërinë
26.11.2019 18:20
Pas tërmetit në Shqipëri, Qeveria e Maqedonisë u solidarizua duke sjellë vendim për ndihmë financiare prej rreth 100 mijë euro...

Gjithashtu janë dërguar 30 ekipe mjekësore për shpëtimin dhe dhënien e ndihmës së parë për të lënduarit. Kompani nga rajoni i Strugës-Ohrit dhe Kërçovës kanë ndihmuar me makineri pastrimi, informoi kryeministri, Zoran Zaev.
“Vendi ynë që herët në mëngjes i ka sjellë të gjitha vendimet të asistojnë në Shqipërinë mike për shkak tragjedisë që ndodhi. Edhe një herë shprehi ngushëllime për viktimat dhe jam në gjendje të ofroj të gjithë ndihmën e nevojshme, do të bëjmë siç bëjmë për qytetarët tanë. Tani më janë dërguar ekipe atje, gjithashtu një numër i madh kompanish nga rajoni Strugës-Ohrit dhe Kërçovës do të dërgojnë makineri për pastrim”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Edhe zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, tha se ekipet e para për ndihmë në Shqipëri janë drejtuar në rajonin e Thumanës.
“Ekipi i parë prej rreth 20 specialistëve dhe mjeteve të nevojshme speciale për të shkuar në Thumanë, për t’u dalë në ndihmë, por gjithashtu jemi të gatshëm për çfarëdo ndihmë që do kërkojë Qeveria shqiptare, për të qenë atje dhe për t’u solidarizuar me këtë fatkeqësi që ka ndodhur”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, njoftoi se do të drejtojë një ekip special të pajisur me dron termik për të ndihmuar në kërkimin e të mbijetuarve nën rrënoja. Ndërsa komuna e Çairit, përveç 6000 batanieve, veshmbathjeve, ndihmave ushqimore, ekipeve mjekësore, ndau edhe mjete financiare nga buxheti i komunal.
“Kemi mbajtur mbledhje menjëherë në mëngjes dhe e kemi parë sa kemi pozicion apo mjete që mund të shfrytëzojmë dhe kemi vendosur që 720.000 denarë apo 12.000 euro të kalojnë në Këshill dhe t’u ndahen qytetarëve të Durrësit apo Shqipërisë si ndihmë financiare”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Nuk kanë munguar as mesazhet e ngushëllimit për viktimat.
“Ndaj pikëllimin tonë bashkë me popullatën atje, siç e dini ata pësuan nga tërmet katastrofal, Qeveria është përgatit që t’i dërgojë ndihmat e duhura”,- tha ministri i Kulturës, Hysni Ismaili.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ka telefonuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, për të shprehur ngushëllime për viktimat e tërmetit. Mesazhe ngushëllimi ka përcjellë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ai i ASh-së, Ziadin Sela, Afrim Gashi i Alternativës, Menduh Thaçi i PDSh-së dhe Bilall Kasami i Lëvizjes Besa.
I gatshëm për ndihmë është treguar edhe lideri i VMRO-së, Hrstian Mickoski.
FARIJE DAUTI-BAKIU
