Botë

Rama: Bashkëjetesa fetare, thesar i madh i shqiptarëve

22.09.2014 17:58

Vizita e Papa Franeçeskut në Shqipëri, bëri që bota sot të na shikojë ndryshe. Këtë fjali e ka zgjedhur kryeministri, Edi Rama...

Vizita e Papa Franeçeskut në Shqipëri, bëri që bota sot të na shikojë ndryshe. Këtë fjali e ka zgjedhur kryeministri, Edi Rama, për ta shprehur entuziazmin pas vizitës së të “Atit të Shenjtë”.
 
Sipas Ramës, shqiptarët nuk janë as myslimanë, as të krishterë, por janë evropianë.
 
Për mbarëvajtjen e vizitës së Papës, Rama falënderoi përfaqësuesit e feve, qytetarët, madje edhe presidentin, Bujar Nishanin dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashan, me të cilët kohët e fundit ka pasur replika në distancë.
 
Rama, deklaroi më tej se shqiptarët sot janë më të bashkuar se kurrë dhe që zotërojnë një thesar të madh, bashkëjetesën unikale fetare. Vendosja e fotove të 40 martirëve, sipas kryeministrit, ishte gjetje e duhur, e cila ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e Papës.
 
Ky i fundit e ka përforcuar një deklaratë të tillë gjatë fluturimit drejt Vatikanit, duke deklaruar se është prekur së tepërmi nga historia e përndjekjes së martirëve shqiptarë.
 
Sot, në kryeqytet gjithçka i është kthyer normalitetit. Edhe pse Papa nuk ndodhet në Tiranë, duket se ka lënë pas një atmosferë mjaft të paqtë.
 
LULJETA NDOKA