Shqipëri
Analistët: Papa e tha atë që ngurrojnë shumë liderë botërorë
22.09.2014 18:03
Porosia e Papa Françeskut nga Shqipëria, se shqiptarët janë populli nga i cili edhe vendet tjera duhet të marrin shembull për tolerancën fetare dhe ndërtimin e paqes...

Porosia e Papa Françeskut nga Shqipëria, se shqiptarët janë populli nga i cili edhe vendet tjera duhet të marrin shembull për tolerancën fetare dhe ndërtimin e paqes, sipas ekspertëve në vend, dëshmon se shqiptarët në Ballkan kanë edhe rolin primar dhe si të tillë ata çmohen për virtytet e larta dhe tolerancën e madhe fetare.
Sipas profesorit universitar, Ferat Polisi edhe nga porosia e Papës u dëshmua ajo që shqiptarët edhe pse u përkasin religjioneve të ndryshme, i bashkon gjuha dhe flamuri kombëtar.
“Shqiptarët me të vërtetë kanë 3 religjione, por janë vendi i vetëm dhe unik dhe shembull botëror për tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar që kanë mes tyre. Janë shqiptarët dhe është mesazhi i qartë i Papës dhe vizitës së tij, ku tregohet se shqiptarët janë po ai popull i cili është i gatshëm historikisht që të jetë pjesë e vlerave dhe kulturave evropiane dhe orientimi i tyre është “pro” evropian”- deklaroi profesori universitar, Ferat Polisi.
Ndërsa profesori universitar, Ylber Sela, vlerëson se Papa Françesku në mënyrë të drejtpërdrejt e ka treguar realitetin që shumë liderë botërorë kanë nguruar ta thonë.
“Atë që e tha Papa, e tha një realitet që jo të gjithë e thonë dhe shumë liderë botërorë ndonjëherë ngurojnë ta thonë, por disa e kanë thënë dhe tash Papa e përsëriti, sepse shqiptarët gjithmonë kanë pasur një tolerancë fetare dhe fetë nuk kanë qenë problematike për zhvillimin shoqëror apo shtetëror të shqiptarëve. Ajo që është jetike për shqiptarët dhe që nuk ka ndodhur me popujt tjerë, është që shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë sundimtarë, asnjëherë nuk kanë sunduar një tokë të huaj, por gjithmonë kanë qenë të sunduar”– deklaroi profesori universitar, Ylber Sela.
Sipas profesorit Sela, tani ka ardhur koha kur shqiptarët dita-ditës po ecin para dhe kjo jep shpresa të mëdha që dekadat e ardhshme të jenë edhe më të suksesshme.
Sipas Selës, ky reflektim pozitiv i shqiptarëve do të jetë në të mirë edhe të fqinjëve tanë që gjithmonë na kanë okupuar dhe që kanë vërejtur se ne nuk jemi keqdashës dhe okupues, por se jemi paqedashës dhe popull që ia duam të mirën jo vetëm vetvetes, por edhe të gjithë fqinjëve tanë.
MEFAIL ISMAILI
