Botë

Prishtinë, gërmimet për varrezë të dyshuar masive

27.11.2019 11:47

Autoritetet përgjegjëse po i vazhdojnë gërmimet për të dytën ditë me radhë....

Autoritetet përgjegjëse po i vazhdojnë gërmimet për të dytën ditë me radhë, për një varrezë të dyshuar masive të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Gërmimet në kompleksin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përkatësisht në afërsi të kishës ortodokse në kryeqytet, kanë nisur të martën, nga Policia e Kosovës - Njësia për Krime Lufte - bashkë me Prokurorinë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.
 
Ato kanë nisur pas marrjes së informacioneve nga disa qytetarë se në atë lokacion mund të ketë varrezë masive nga periudha e luftës së vitit 1999 në Kosovë. Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, tha se gërmimet kanë nisur në kohë edhe në ditën e dytë. Nga lufta e fundit në Kosovë ende mbeten të zhdukur edhe rreth 1,600 persona.