Maqedoni
Ndryshimet në modelin zgjedhor, Xhaferi: Nuk ndryshohet modeli para zgjedhjeve
27.11.2019 15:07
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, këmbëngul se modeli zgjedhor nuk ndryshohet para zgjedhjeve....

Përkujton partitë se për ndryshime të tilla duhet konsensus, por gjithsesi që ky konsensus nuk mund të arrihet kur vendi gjendet në prag të shpalljes së zgjedhjeve që erdhi pikërisht si konsensus mes partive.
“Nuk është e pëlqyeshme që një projekt i ligj i tillë që ka të bëjë me ndryshimin e sistemit të përgjithshëm zgjedhor të miratohet në dy muajt e fundit të përbërjes parlamentare, për faktin që ligjet e tilla rrezikojnë nevojat e implementimit të shumë ndryshimeve praktike të obligimeve të institucioneve që janë të përfshira në procese. Mendoj se do ishte më e udhës që për një projekt të tillë të debatohet në fillim të mandatit të një përbërjeje parlamentare, e cila do të mundte zgjidhjet e mundshme t’i miratojë dhe të implementojë apo të bëhen parapërgatitjet për zbatim të reformave ligjore”,- deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Aktualisht vetëm LSDM mbështet propozimin për një njësi zgjedhore dhe lista të hapura. VMRO-DPMNE kërkon 120 njësi zgjedhore, BDI këmbëngul për sistemin aktual për këto zgjedhje, pranon diskutime për listat e hapura, ASh kërkon 8 njësi zgjedhore. Koha nuk mjafton për konsensus kur ka kaq kërkesa të ndryshme, pasi më 3 janar Xhaferi pritet të thërrasë seancën për qeverinë teknike e të shpallë zgjedhjet e 12 prillit. Edhe sot përkujtoi se nëse kuvendi shpërbëhet, nuk mund të thirret seancë e veçantë për nënshkrimin përfundimtar të protokollit për anëtarësim në NATO, megjithëse shpreson që një gjë e tillë të bëhet para shpërbërjes së parlamentit.
FLUTURA LATIFI
