Maqedoni

Tërmeti në Shqipëri, nisen ndihmat e para, apelohet për koordinim

27.11.2019 15:28

Pas gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur në Shqipëri pas tërmetit shkatërrues...

Pas gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur në Shqipëri pas tërmetit shkatërrues, ka nisur mobilizimi edhe i organizatave humanitare në vendin tonë. Kontigjentet e para me ndihma nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut veç më kanë arritur në zonat e prekura. Më e rëndësishmja tani është koordinimi mes gjithë atyre që marrin  iniciativa për të ndihmuar, apelojnë nga Kryqi i Kuq.
 
“Dinamika e përgjigjes në ftesat tona është e duhur. Shpresoj që në ditët e ardhshme do të vijnë ndihma shtesë që të mobilizohemi shtesë dhe të japim atë kontribut, do të thosha minimal që çdokush mund ta japë. Këto janë gjëra që shkaktojnë huti, tollovi dhe për një moment gjithë organizmat, shteti, gjenden në një situatë që kërkon organizim plotësues. Është shumë me rëndësi që ne të ndihmojmë atje atë që duhet e jo atë që nuk ka nevojë”,- tha Sahit Sahiti nga Kryqi i Kuq.
 
Duke pasur parasysh se bashkimi sjell më shumë dobi në këto raste, organizatat “Merhamet”, “El hilal”, “Kalliri i Mirësisë”, “Nun”, “Ensar” dhe “Vllaznia” shpallën javën e aksionit humanitar nën moton “Vëllazëria na bashkon”. Në aksion edhe OJQ-të në qytetet e tjera. 
 
“Apelojmë te të gjithë ata që janë me shpirt human, me zemër humane, le të urdhërojnë, le të koordinohemi, le të organizohen edhe me organizata tjera, por të mos shkojmë të dalim qesharak, individë, organizatë, të tubojmë dhe të mos dimë çka të bëjmë. Apeli do të jetë deri ditën e diel, por edhe pas të dielës ne nuk do të ndalemi, por do të ndërrojmë strategjinë, metodologjinë e aktivitetit për më tutje.”,- tha koordinatori i aksionit të 6 shoqatave humanitare, Ali Sadiku.
 
Nga Tetova janë nisur edhe 3 kamionë me 12 ton ndihma nga “Ekolog” për  Shtabin e  Emergjencës  Civile. Pako ushqimore, veshmbathje, batanije po tubojnë edhe studentët dhe shumë të rinj vullnetarë në pothuajse të gjitha qytetet shqiptare.
 
“Shkon shumë mirë, më mirë sa që e kemi paraparë. Në kohëzgjatje prej 20 orëve një hapësirë e vogël është mbushur, tani përdorim hapësira tjera, që do të thotë se shumë njerëz deri tash janë lajmëruar dhe kanë dhuruar gjëra për atje”,- theksoi vullnetari nga Shkupi, Rinisa Rexhepi.
 
Iniciativat nuk kanë munguar as nga bizneset e mesme që operojnë në vend, disa prej tyre fitimin ditor nga qarkullimi do ta dhurojnë për të prekurit në Shqipëri. 
 
ZEKIRJA MEXHITI