Botë
Tërmeti në Shqipëri, vazhdon solidarizimi dhe ndihmat nga Kosova
27.11.2019 15:47
Vazhdojnë pa u ndalur ndihmat për Shqipërinë nga Kosova...

Kanë arritur në zonat e prekura edhe 100 policë të tjerë të specializuar që do të jenë në shërbim të autoriteteve, në kërkim-shpëtim të banorëve të mbetur nën gërmadha.
Presidenti dhe ministri i jashtëm i Kosovës personalisht po qëndrojnë në zonat e prekura, për t’u solidarizuar me vëllezërit e gjakut.
“Ne jemi në dispozicion për të ndihmuar me atë që kemi dhe mundemi pa kursyer asgjë. Unë shpreh gatishmërinë e qeverisë dhe popullit të Kosovës që të jemi këtu prezentë dhe ta bëjmë atë që mundemi”,- tha ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Përveç qeverisë qendrore, nuk po kursehen as komunat. Prishtina ka dhuruar 50 mijë euro, Mitrovica 20 mijë, edhe komunat e tjera po angazhohen për të ndihmuar.
“50 mijë euro nuk kanë bujë të madhe, por është shumë e mjaftueshme të tregojmë si kryeqytet, të solidarizohemi.”,- theksoi kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Vazhdon solidarizimi edhe i vullnetarëve, qytetarëve dhe organizatave. Ka filluar edhe strehimi i qytetarëve nga Shqipëria në Kosovë, sepse vëllai vëllait duhet t’ia hapë derën në ditët e rënda.
“Tani po niset një autobus me gjëra elementare, si ushqime, veshmbathje dhe gjëra të tjera. Pas këtij autobusi do të nis edhe një autobus tjetër”,- tha përfaqësuesi i grupit të tifozëve “PLISAT”, Kushtrim Ramadani.
KEK ka donuar 100 mijë euro ndihmë, “Jetimët e Ballkanit” 30 ton ushqime e veshmbathje, Vetëvendosje ka nisur konvojin me 51 ton ndihma dhe një autoambulancë.
GAZMEND KURTISHI
