Maqedoni
Kumanovarët solidarizohen me të prekurit nga tërmeti në Shqipëri
27.11.2019 16:22
Qytetarët e Kumanovës në forma të organizuara gjithnjë e më tepër po kyçen në aksionet për grumbullimin...

Qytetarët e Kumanovës në forma të organizuara gjithnjë e më tepër po kyçen në aksionet për grumbullimin e ndihmave për qytetarët e zonave të prekura nga tërmeti katastrofal në Shqipëri. Grumbullohen mjete materiale, ushqimore e veshmbathje të cilat menjëherë po dërgohen në Shqipëri.
“Ka pasur mobilizim të mirë, qytetarët kanë sjellë edhe të holla, por edhe gjëra ushqimore, veshmbathje. Njëashtu apeloj deri te të gjithë donatorët më mirë të sjellin gjëra ushqimore si dhe veshmbathje, por dhe lëngje e ujë. Kemi edhe nga pala maqedonase si dhe nacionalitete tjera të cilët po solidarizohen me vëllezërit tanë dhe ndihmojnë ata”,- tha mes tjerash Ylli Sadiku nga tifo grupi “Ilirët”.
“Më erdhi shumë keq për atë që u ndodhi, ishte dëshirë e imja që të sjell ndihma në veshmbathje”,- tha për TVM2 një qytetare.
“Edhe ne gjithashtu jemi të mendimit që t’u ndihmojmë vëllezërve tanë në Shqipëri, dhashtë Zoti mos të përsëritet më”,- tha një qytetare.
“Ndjejmë dhimbje të thellë për vëllezërit tanë atje, e dimë fare mirë se çka është dhimbja, edhe ne kaluam nëpër luftëra të ndryshme”,- tha një qytetare.
Aksionit për solidarizim iu bashkëngjitën edhe nxënësit dhe arsimtarët e shkollave kumanovare me grumbullimin e mjeteve materiale. Ky aksion do të zgjasë deri ditën e hënë.
“Jemi në prag të festës së 28 Nëntorit me zemër të thyer, për shkak të tragjedisë që ndodhi dhe ne si shkollë vendosëm të solidarizohemi me vëllezërit dhe motrat tona atje dhe vendosëm të ndihmojmë simbolikisht, që tua zbusim dhembjen e të gjithë atyre që pësuan nga tërmeti”,- shtoi mes tjerash drejtori i sh. f. “Bajram Shabani” – Kumanovë, Mustafa Ebibi.
Ditëve në vijim për shkak të interesimit të madh për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat në Shqipëri janë paralajmëruar edhe pika të tjera grumbullimi në anë të ndryshme të qytetit.
FATLUM AQIFI
