Zjarrfikësit italianë japin shpresë: Kemi gjetur të mbijetuar edhe pas 72 orësh

27.11.2019 16:36

Pas tërmetit tronditës e gjithë bota me sytë nga Shqipëria....

Pas tërmetit tronditës e gjithë bota me sytë nga Shqipëria. Mbi 200 specialistë nga Italia po marrin pjesë në aksionet e kërkim-shpëtimit.

E janë pikërisht zjarrfikësit italianë që japin shpresë se në gërmadha mund të ketë ende njerëz të gjallë.

“Jemi 160 zjarrfikës italianë, të specializuar në kërkimin poshtë rrënojave. Do të vijnë edhe të tjerë. Ka ende kohë, në Akuila kemi shpëtuar njerëz që kishin 72 orë nën rrënoja. Gjithmonë punojmë me objektivin për të shpëtuar njerëz”,- tha një zjarrfikës italian.

Të gjithë sytë nga Shqipëria, bota solidarizohet, nisen ndihmat dhe ekipet

Gjermania ka gati një ekip të Agjencisë Federale të Ndihmës. Ministri i Shëndetësisë dhe ai i Brendshëm i Malit të Zi, ofruan drejtpërdrejt në Thumanë ndihmë edhe përmes dërgimit të ekipeve të shpëtimit dhe atyre mjekësore.

Kroacia do të dërgojë dy helikopterë dhe një njësi të mbrojtjes civile.

13 specialistë serbë veç më kanë mbërritur në zonat e goditura.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, në fjalimin në Komitetin e Organizatës së Zhvillimit Islam, i bëri thirrje gjithë botës islame për t’u mobilizuar dhe për t’i dhënë ndihmë Shqipërisë.

“Ne me shpejtësi dërguam avionët tanë kargo, Gjysmëhënën e Kuqe Turke, AFAD në Shqipëri... Të gjithë duhet të qëndrojmë pranë Shqipërisë, qoftë në ofrimin e trajtimit mjekësor ndaj të plagosurve, qoftë të atyre që shtëpitë u janë shkatërruar ose dëmtuar. Të gjithë botës islame i bëj thirrje që ta mbështesë Shqipërinë.”,- tha presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Edhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur të Xhorxh Sorosit, akorduan  500,000 dollarë si fond emergjence. (Belinda Koka Ademi, TVM2)