Botë
Tërmeti në Shqipëri, natë e kaluar në çadra nën frikën e dridhjeve të reja
27.11.2019 16:48
Nga frika e përsëritjes së tërmeteve shumë qytetarë të Durrësit...

Nga frika e përsëritjes së tërmeteve shumë qytetarë të Durrësit, Tiranës dhe vendbanimeve tjera kanë kaluar natën nën tenda apo në vetura. Të anketuar nga TVM, të mbijetuarit tregojnë tmerret e përjetuara dhe ndjesinë e kalimit të natës së parë nën qiell të hapur.
“Ra muri gjithë. Ka nxjerr çuni 20 kusia me beton. Komplet ra muri poshtë dhe është e pabanueshme shtëpia. Jemi shumë keq. Kush do ta rregullojë?”,- tha një qytetar.
“Nuk e mbledhim veten, jo sot, por edhe vitet të kalojnë. Por, unë jam e kënaqur, kam shpëtuar dy kalamaj".
- Ku ke banuar ti?
“Te ky pesëkatëshi këtu”.
- Ai që është shembur?
“Po”.
- Si munde të shpëtosh, si munde të dalësh?
“Nën rrënoja kam dalë, nëpër errësirë, në mjegull, nëpër tym, ato binin ne dilnim. Veç më i shpëtuam kalamajtë, kam dalë. Zoti mi fali, nuk e di, i jam borxhli.”,- u shpreh ajo.
“Shyqyr Zotit familja nuk ka gjë. Banesa është e shpërbërë totalisht. Jashtë funksionit. Unë interesohem për një çadër ta ngreh aty afër banesës, sepse nuk kam ndonjë pasuri, kushedi çfarë, kam bagëti dhe mos më shkojë në dëm të paktën ajo”,- tha një qytetar.
“Më mirë në çadër se sa ne dje ku ishim. U çmendën fëmijët t’u qa, kemi frikë, kemi frikë. Çatia sipër ka ranë krejt poshtë. Ka 18 vjet që jetojmë në kasolle dhe shtëpia të pabanueshme. Por, ju lutem shtetit tan botës të vejë dorë për tre kalamajtë e mi. Nëpër çadra e në kasolle kanë jetuar”,- theksoi një qytetare.
“Në Kurbin janë 173 banesa të dëmtuara. Edhe dy pallate të reja në Durrës u shpallën mëngjesit e sotëm si të pabanueshme, e vetmja zgjidhje deri më tani janë çadrat e ngritura”,- thonë nga Emergjencat Civile.
Kryeministri, Edi Rama, nga Durrësi tha se shpreson që brenda vitit 2020 të gjithë personat e prekur nga tërmeti do të futen në shtëpi të reja. Premtoi se të gjithë banorët shtëpia e të cilëve konsiderohet si e pariparueshme, do akomodohen në hotel. “Kemi ngritur një Komitet Kombëtar për Rindërtim, besoj se do t’ia dalim”,- ishte optimist Rama.
LEUNORA KALIQI
