Maqedoni
Xhaferovski: Ekipi do të qëndrojë deri në fund
27.11.2019 17:04
41 pjesëtarë të forcave për mbrojtje dhe shpëtim janë tashmë në Shqipëri....

Janë ekipe të specializuar që dinë se si të veprojnë për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja si dhe ata do të qëndrojnë atje deri sa të ketë nevojë.
“Ekipi përbëhet nga 41 persona, 35 janë nga DMSh, të specializuar për kërkim në situata të tilla, 2 janë nga MPB me qen shpëtimtarë, të trajnuar posaçërisht për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja dhe 4 janë nga Kryqi i Kuq. Me vendim e qeverisë, ekipi do të qëndrojë deri sa të ketë nevojë shteti ynë fqinj”,- tha drejtori i Drejtorisë për Shpëtim dhe Emergjenca, Adnan Xhaferovski.
Mustafa: Për gjetjen e personave punojmë me mjete speciale
Edhe zjarrfikësit nga Shkupi tashmë janë në vendet e goditura nga tërmeti katastrofal. Ata kanë kamera me dron me vete për të skenuar të mbijetuarit apo viktimat.
“Prej qytetit të Shkupit jemi 4 zjarrëfikës dhe 2 persona të cilët janë të specializuar për kamerat dhe dronin termal, ne japim kontributin tonë që t’i gjejmë njerëzit ndër gërmadha. Edhe sot nga orët e para të mëngjesit jemi këtu. Bëhet fjalë për një shtëpi 4 katëshe, e cila është rrënuar dhe brenda ka pasur 9 persona. 3 janë nxjerrë, 2 të vdekur dhe një i gjallë”,- tha zjarrfikësi nga Shkupi, Nuredin Mustafa.
Ndihma për Shqipërinë, komunat në RMV ndajnë mjete financiare
Nga Maqedonia përveç ekipit janë dërguar edhe pajisje teknike të specializuar, ambulancë, pajisje mjekësore dhe teknike, si dhe mekanizëm bashkëkohor i cili shfrytëzohet për të arritur tek të mbijetuarit eventual. Komunat ndërkohë kanë ndarë mjete nga buxheti komunal.
“Tu ndahet 300 mijë denarë, si dhe do të japim përkrahjen me grupin e zjarfikësve tanë, kemi vënë kontakte me shtabin e krizës së qytetit të Durësi si dhe me Ambasadën e Shqipërisë në RMV”,- tha kryetari i komunës së Dibrës, Hekuran Duka.
Komuna e Tetovës, ka ndarë 25 mijë euro ndihmë për të prekurit nga tërmeti e ka anuluar të gjitha festat e parapara për 28 nëntorin madje edhe për vitin e ri. Tetova ka shpallur dy ditë zie.
Çairi, ndërkohë, përveç 12 mijë eurove të ndara, është në tre ditë zie. Gostivari ndau 1.1 mln denarë dhe dërgoi zjarrfikës e batanije në Shqipëri.
Qyteti i Shkupit përveç zjarrfikësve dhe ekipet me drone termike ka akorduar edhe 50 mijë euro denarë ndihmë në të holla.
REJHANE BUSHI METAJ
