Botë

Kërçovë, kanë filluar aksionet humanitare për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

27.11.2019 18:47

Kryqi i Kuq i Kërçovës mbrëmë ka nisur për në Shqipëri mjete materiale prej 10 mijë eurosh....

Kryqi i Kuq i Kërçovës mbrëmë ka nisur për në Shqipëri mjete materiale prej 10 mijë eurosh, pako ushqimore dhe veshëmbathje Ndërkohë që Këshillat e Bashkësive vendore dhe shoqatat që veprojnë në komunën e Kërçovës kanë filluar aksionet për grumbullimin e ndihmave humanitare për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
 
Pas akordimit të ndihmave materiale në vlerë prej 12 mijë eurosh nga Këshilli i komunës së Kërçovës, Organizata e Kryqit të Kuq në Kërçovë gjatë ditës së djeshme ka dërguar për në Shqipëri ndihmat fillestare me thasë gjumi, batanie, krevatë montazhi, pako ushqimore dhe pako higjienike si dhe mjete financiare prej 10 mijë eurosh të cilat menjëherë janë transferuar te Kryqi i Kuq i Shqipërisë. 
 
Sekretari i kësaj organizate Besnik Selimi, thotë se për të rritur efektin e ndihmave, janë hapur edhe linjat telefonike për donim dhe xhirollogaria e solidaritetit ku qytetarët mund të derdhin mjetet e tyre. 
 
Ai njofton se që nga dita e djeshme në zonat e prekura nga tërmeti, Kryqi i Kuq i Kërçovës ka dërguar edhe një ekip logjistik të ndihmës së parë në raste të këtilla.  
 
Për tu dalë në ndihmë vëllezërve dhe motrave nga Shqipëria, që u goditën nga tërmeti i ditës së djeshme, Shoqata humanitare Kalliri i Mirësisë, nën moton “Një komb, një dorë” ka filluar aksionin humanitar për grumbullimin e ndihmave humanitare në ushqime dhe veshëmbathje.. 
 
Aksione të ngjashme zhvillohen edhe në Bashklsitë vendore të komunës së Kërçovës, Forumi rinor i BDI-së në Këçovë, si dhe grupi rinor i udhëhequr nga këngëtari Uran Dervishi, të cilët kanë njoftuar popullatën për organizimin e aksioneve dhe pikat e grumbullimit të ndihmave për në zonat e goditura nga tërmeti. 
 
SHABAN DALIPI