Maqedoni

Kumanovë, ndahen 300.000 denarë për Durrësin. Ankohen BDI dhe VMRO-DPMNE: 300.000 denarë janë shumë pak

28.11.2019 15:44

Këshilli i komunës së Kumanovës, në seancën e jashtëzakonshme akordoi një ndihmë prej 300.000 denarësh...

Këshilli i komunës së Kumanovës, në seancën e jashtëzakonshme akordoi një ndihmë prej 300.000 denarësh për qytetin e binjakëzuar, Durrësin.
 
Këshilltarët komunal të të gjitha partive unanimisht votuan “pro” këtij vendimi.
 
“Të gjithë këshilltarët e pranishëm unanimisht vendosën që për popullatën e prekur nga tërmeti në qytetin e binjakëzuar të Durrësit të ndahen mjete prej 300.000 denarësh, me të cilat do të sigurohen gjësende të ndryshme higjienike, batanije e të tjera, për tua zbutur dhembjet në këto ditë të para të pastërmetit”,- tha kryesuesja e Këshillit komunal të Kumanovës, Atina Murgashanska.
 
Por, këshilltarët nga radhët e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së ankohen se 300 mijë denarë janë shumë pak. 
 
“Në të ardhmen, kreu i komunës të shqyrtojë mundësinë dhe ndihma që do të ofrojmë si komunë të jetë më e madhe se kjo sot që po ndajmë, pasi që kjo është një shumë tejet simbolike prej 300.000 denarë për një komunë siç është komuna e Kumanovës”,- tha këshilltari i BDI-së në Këshillin komunal të Kumanovës, Feriz Dërvishi.
 
“Kjo shumë më duket tepër e vogël nga një komunë si e jona, e kisha lutur kryetarin e komunës dhe shërbimet komunale që të mundohen të ndajnë mjete shtesë nga buxheti komunal. Ne si grup i këshilltarëve komunalë të VMRO-DPMNE-së, pa asnjë rezervë dhe njëzëri do ta përkrahim këtë iniciativë”,- u shpreh këshilltari i VMRO-DPMNE-së në Këshillin komunal të Kumanovës, Dragan Petkovski.
 
Në Kumanovë vazhdon ndërkohë grumbullimin e ndihmave humanitare nga qytetarë, shoqata e institucione të ndryshme arsimore për të prekurit nga tërmeti.
 
FATLUM AQIFI