28 nëntori i solidaritetit kombëtar, Ahmeti: Shprehim ngushëllime dhe përkrahje morale
Shqiptarët festojnë 28 nëntorin....

Shqiptarët festojnë 28 nëntorin, në dëshpërim të thellë për tragjedinë që goditi Shqipërinë. Manifestimet këtë vit janë shndërruar në solidarizim me shtetin shqiptar, me të gjithë familjet e viktimave dhe të lënduarve, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, bëri homazhe në monumentin “Nëna shqiptare” në Zajaz e më pas, i shoqëruar nga ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, edhe para përmendores së Skënderbeut në Shkup e për të vazhduar më pas i shoqëruar nga kryeparlamentari Xhaferi dhe bashkëpartiakët e tjerë, edhe në manifestimin qendror në Drenas në përurimin e shtatoreve të heronjve Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari.
“Shfaqim njëherit edhe ngushëllimet, por edhe përkrahjen morale për ata që kanë mbetur gjallë. Por, edhe inkurajojmë të gjithë ato forcat që shpëtuan jetë njerëzish. Ne do të vazhdojmë në Drenas ku do të shpaloset shtatorja e Shaban Jasharit me djemtë e tij Adem e Hamëz Jashari dhe nga aty do të vazhdojë në Thumanë e Durrës për të inkurajuar forcat tona nga RMV, të cilët ndihmuan dhe shpëtuan jetë njerëzish dhe të shfaqim solidaritetin tonë, përkrahjen tonë, që të lehtësojmë sadopak dhimbjen e atyre njerëzve që pësuan në këtë tragjedi”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Besa: Nëntori na bashkon, në gëzim dhe në tragjedi
Mesazhe solidarizimi në këtë ditë feste kanë dërguar edhe partitë e tjera shqiptare.
“Ky nëntor ishte shumë më i ftohtë se nëntorët e tjerë, në këtë muaj u ngri buzëqeshja e miliona shqiptarëve, duke e shndërruar nga festë në tragjedi. Nëntori është i shqiptarëve, nëntori është i bashkimit, solidaritetit, afërsisë dhe çiltërsisë për të gjithë kombin shqiptar”,- shkruan në FB kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
PDSh: Në festë e tragjedi, ne jemi një
“28 nëntori i sivjetmë është një ditë solidarizimi, mbështetje, inkurajimi, për të gjitha ato familje që pësuan nga tragjedia e dy ditëve më parë në Shqipëri. Një 28 nëntor që sivjet na gjen të goditur, por jo të thyer”,- thuhet në telegramin e kreut të PDSh-së, Menduh Thaçi, i cili gjithashtu në Drenas mori pjesë në përurimin e shtatoreve të tre heronjve të familjes Jashari.
Aleanca për Shqiptarët: Dëshmuam se e kemi ende fuqinë e bashkimit
“Këtë nëntor nuk mund të festojmë, por nuk mund të rrimë pa e përmendur fuqinë e bashkimit, të trashëguar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky nëntor, edhe pse fatkeqësisht pranë një situate të tillë, po dëshmon zemërgjerësinë e shqiptarëve, po dëshmon se nuk harrojmë amanetin e të parëve.”,- theksohet në komunikatën e ASh-së.
Gashi në Durrës, solidarizim dhe ndihma për të dëmtuarit
Në Durrës ka qëndruar edhe kryetari i “Alternativës”, Afrim Gashi, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, dhe deputeti, Rexhep Memedi, për të sjellë ndihmat e grumbulluara nga të rinjtë e partisë dhe për të ngushëlluar familjet e viktimave e solidarizuar me të mbijetuarit. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)
