Maqedoni
Ratifikimi i protokollit për në NATO, Pendarovski: Presim Spanjën, te ne gjejmë zgjidhje
28.11.2019 16:45
Pas deklarimeve të kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, që nuk ka mundësi të thirret parlamenti i shpërndarë...

Pas deklarimeve të kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, që nuk ka mundësi të thirret parlamenti i shpërndarë për ratifikimin e protokollit për në NATO, presidenti, Stevo Pendarovski, thotë se njëherë duhet pritur rezultati nga Spanja e më pas të përqendrohemi në interpretimin juridik se si parlamenti ynë do të arrijë ta ratifikojë apo jo protokollin.
“Nuk duhet të lodhemi shumë me interpretimin juridik nëse mundemi apo jo. Ne duhet të përqendrohemi në atë që po ndodh në Spanjë. Është fakt se parlamenti spanjoll tani është më i larmishëm sesa ishte para këtyre zgjedhjeve dhe ndoshta është më vështirë të formojnë qeveri, ne shpresojmë. Nuk ka rëndësi nëse është janari, shkurt apo marsi. Pasi Spanja të ratifikojë, mbetet vetëm vendimi ynë, sepse edhe ne duhet të ratifikojmë, që ta depozitojmë përfundimisht në Uashington.”,- tha presidenti, Stevo Pendarovski.
Pendarovski ka komunikuar me këdo që mund të ndihmonte këtë situatë, por thotë se askush nuk mund të shkojë përtej kufijve kushtetues.
"Kam folur dy herë me Havier Solanën, një nga patriarkët e politikës spanjolle, por padyshim që kufijtë kushtetues atje janë të tillë që nuk mund të tejkalohen, por ne do të vazhdojmë të provojmë në një farë mënyre edhe me qeverinë teknike, edhe me parlament teknik, nëse ai ratifikim është teknikisht i mundur, sepse kjo do të thotë shumë për ne, sepse mbyll qëllimin më të rëndësishëm strategjik që kemi pritur që nga viti 1993.",- tha presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Lidhur me emërimin e ambasadorit në NATO-s, Pendarovski shpreson që koordinimi të përfundojë së shpejti në qeveri dhe më pas të marrë një propozim zyrtar.
NAIM RAMADANI
