Vlerësimi i objekteve, ekspertë të FSK-së në zonat e dëmtuara
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka nisur drejt Shqipërisë grupin prej 60 ekspertëve pranë FSK-së...

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka nisur drejt Shqipërisë grupin prej 60 ekspertëve pranë FSK-së, që do të bëjnë vlerësimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti.
“Me kërkesë të qeverisë shqiptare dhe me vendim të presidentit, Hashim Thaçi, me urdhër të komandantit të FSK-së, Rrahman Rama, sot është nisur një grup i ekspertëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për vlerësimin e shkallës së dëmtimit të banesave dhe objekteve tjera nga dëmtimet e tërmeteve që kanë goditur Shqipërinë këto ditë. Ky kontingjent është vazhdimësi e misionit të Njësive të specializuara të Gardës Kombëtare të FSK-së, që nga momentet e para pas goditjeve të tërmetit shkatërrues në Shqipëri iu kanë bashkuar operacioneve të kërkim-shpëtimit”, njoftojnë nga ministria e mbrojtjes.
Në të gjitha qytetet e Kosovës ndërkohë vazhdon grumbullimi i ndihmave dhe shumë qytetarë kanë hapur dyert për vëllezërit e motrat e tyre nga Durrësi e Thumana që pësuan nga tërmeti katastrofal.
