Tërmeti në Shqipëri ngriti alarmin për cilësinë e ndërtimeve në rajon
Dridhjet e tokës të cilat shkaktuan viktima në njerëz....

Dridhjet e tokës të cilat shkaktuan viktima në njerëz dhe dëme të shumta materiale në Shqipëri kanë ngritur alarmin edhe te vendet e rajonit rreth cilësisë së ndërtimeve.
Kryetari i Institutit për Inxhinieri të Tërmeteve dhe Sizmologjisë ka bërë të ditur se javën e ardhshme Maqedonia e Veriut do të dorëzojë ekipe ekspertësh në Shqipëri për inspektimin e objekteve të dëmtuara, që të konstatohet niveli i dëmtimit.
“Gjatë javës së ardhshme IITS me ekipet e saj, në koordinim me Qeverinë e Vendit dhe Ambasadën e Maqedonisë në Shqipëri, do të dërgojë ekipe të saj të cilët do të ndihmojnë në inspektimin e objekteve, ku do të definohet në cilat objekte ka kushte për banim, cilat duhet të rrënohen dhe cilat duhet të riparohen.”,- deklaroi kryetari i Institutit për Inxhinieri të Tërmeteve dhe Sizmologjisë, Vllatko Sheshov.
Sipas Ivica Jakimovskit nga Oda e Ndërtimtarisë, tërmetet janë fatkeqësi natyrore që nuk mund të parashihen, por ajo çka mund të bëjmë ne si shoqëri është të aplikojmë standardet europiane në ndërtimtari. Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka standard më të lartë të ndërtimtarisë se sa vendet e rajonit, sepse tek ne objektet garantojnë një termet deri më 9 ballë sipas shkallës së intensitetit.
“Në vendin tonë kemi kualitetin e ndërtimit më të lartë në rajon dhe ajo që ndodhi në Shqipëri nuk ka gjasa të ndodhë tek objektet tona të ndërtimit, sidomos ato të rejat. Ne kemi ndërtim më kualitativ se sa Shqipëria, Bullgaria, Greqia etj”,- u shpreh kryetari i Odës së Ndërtimtarisë, Ivica Jakimovski.
Vllatko Sheshov - kryetar i Institutit për Inxhinieri të Tërmeteve dhe Sizmologji, apeloi që të kihet kujdes gjatë shtesave nëpër ndërtesa, sepse pasojat mund të jenë fatale.
“Apeloj posaçërisht për objekte të cilat janë të ndërtuara më herët, që të konsultohen me të gjithë faktorët dhe të sillet konstatim se a është objekti në gjendjen faktike i sigurt, e pastaj të konstatohet se a mund ta rrisim për ndonjë kat”,- theksoi kryetari i Institutit për Inxhinieri të Tërmeteve dhe Sizmologji, Vllatko Sheshov.
Nga Oda e Ndërtimtarisë po ashtu potencuan se me ligjet e reja për ndërtim janë rritur kërkesat e institucioneve, përkatësisht komunave në drejtim të kompanive të ndërtimit, sa i përket plotësimit të kritereve për dhënien e lejeve për ndërtim. (Fitim Kryeziu, TVM2)
