Kulturë
Teatri Kombëtar Maqedonas, nesër fillon Festivali “Akt fest”
29.11.2019 16:00
Me shfaqen “Zona e Pritjes” nga Shkodra, të shtunën në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar Maqedonas, fillon festivali “Akt fest”...

Me shfaqen “Zona e Pritjes” nga Shkodra, të shtunën në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar Maqedonas, fillon festivali “Akt fest”, i cili do të zgjasë deri më 4 dhjetor.
Në këtë festival do të ndahet çmimi për aktorin më të mirë, në konkurrencë prej 60 aktorësh.
“Nesër në mbrëmje fillojmë me shfaqjen prej Shkodrës “Zona e pritjes” dhe hapja është në orën 20:00. Natën e dytë kemi dy shfaqje, “Kukulla prej Prizrenit” në orën 18:00 dhe “Vdekja e Dantonit” në orën 20:00. Ditën pas asaj duhej të vijë Durrësi me “Revizorin”, por për shkaqe të tërmetit që ishte në Shqipëri, e anuluan ardhjen, nuk arritën dhe në vend të kësaj shfaqje ne do të vendosim në skenë shfaqjen “Jashtë bie borë” prej teatrit të Tetovës”,- tha producenti dhe drejtor gjeneral, Romir Jakupi.
Ideatorja e “Akt fest”, Merita Çoçoli, potencon se Shkupi ka pasur nevojë për një eveniment të këtillë, pasi ka boshllëk kulturor.
““Akt Festi” është një ide e vjetër për t’u realizuar si një festival në Shkup, meqë ishte një boshllëk kulturor, përveç disa festivaleve internacionale që ekzistojnë edhe më herët, edhe ky është një festival që i kushtohet krejtësisht aktorit me çmime për aktorë, ndaj dhe quhet “Akt Fest” që në titull kuptohet që është e konceptuar si një festë e aktorit. Por, në rrethanat dramatike që ndodhën në Shqipëri sigurisht që festa zbehet, por misioni i artit është të inkurajojë njerëzit e dëmtuar dhe të tregojë pjesën e tij humane”,- tha ideatorja e Festivalit “Akt Fest”, Merita Çoçoli.
“Këtë vit nuk jemi kufizuar në vitet e prodhimit të shfaqjeve, me idenë që t’i sjellim shfaqjet që kanë lënë gjurmë edhe ato që janë prodhuar më herët edhe ato që janë vitet e fundit, me qëllim që publiku përveç se ta shijojë gjuhën, fjalën artistike shqipe, sepse ky festival është festival i aktrimit në gjuhën shqipe. Janë përzgjedhur shfaqjet në shqip nga gjithë trevat ku jetojnë shqiptarët”,- theksoi regjisori dhe selektues, Kushtrim Bekteshi.
Juria në këtë festival përbëhet nga Ndriçim Xhepa, Vebi Qerimi, dhe Shkumbin Istrefi, të cilët do të ndajnë 5 shpërblimet e aktorëve, si: aktori më i mirë, aktorja më e mirë, rolet episodike mashkull dhe femër më të mirë, si dhe shpërblim për performuesit e rinj.
Tre mbrëmjet e para të festivalit do të mbahen në Teatrin Kombëtar Maqedonas, kurse dy mbrëmjet e fundit në Teatrin e Komedisë. Në shenjë solidarizimi për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri do të mblidhen donacione nga publiku.
VLORA LATIFI TOPOJANI
