Amnistimi i Ivanovit, Deskoska: Kuvendi të pengojë aktivizimin e amnistisë
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, u bëri thirrje deputetëve....

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, u bëri thirrje deputetëve që të bëjnë interpretim autentik të nenit 11 të Ligjit për abolim, me të cilin do të pengonin që Gjykata Kushtetuese të aktivizojë abolimin.
Me këtë veprim, sipas saj, jemi dëshmitarë të tentimeve për shmangien e drejtësisë, ndërsa shtoi se Kuvendi këtë mund ta bëjë edhe javën e ardhshme, nëse ekziston vullneti.
“Të pengohet aktivizimi i amnistimeve të paligjshme të dhëna nga ish kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov. I bëj thirrje Kuvendit t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që ka në duar. Me interpretimin autentik mund të konfirmohet ajo që e vërtetuan dhe akoma e pohojnë ekspertët, se neni 11, në të cilin mbështetej amnistimi masovik i Ivanovit, nuk ekzistonte. Gjegjësisht, vendimi i Gjykatës Kushtetuese në mars të vitit 2016 për anulimin e Ligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për amnisti nga viti 2009 nuk e ringjalli nenin 11 të ligjit. Në duar të Kuvendit është që njëherë e përgjithmonë të mbyllë këtë çështje dhe të mos lejojë ringjalljen e amnistimit të Ivanovit”,- tha ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.
Saiti: Vendimi për shfuqizim do të ketë pasoja
Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Xhemali Saiti, thotë se një vendim i tillë eventual do të ketë pasoja juridike.
“Nuk do të kisha dashur që më konkretisht të ndërhyjë në kompetencat e tyre se nëse ato kanë të drejtë të diskutojnë dhe se cili do të ishte vendimi i tyre. Vlerësoj se vendimi eventual do të kenë pasoja në kuadër të lëndëve konkrete që zhvillohen tek ne. Po, mund të ketë pasoja juridike që do të kërkonin zgjidhje”,- tha kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Xhemali Saiti.
Moment kyç është nëse neni 11 do të shfuqizohet apo anulohet. Shfuqizimi i nenit 11 do të nënkuptonte shfuqizim të të gjitha pasojave që janë shkaktuar më herët, gjegjësisht një vendim i tillë që do të shfuqizohen të gjitha aktvendimet, do të lirohen nga ndjekja penale të akuzuarit dhe të dyshuarit, ndërsa ekziston mundësia që në fund të kërkojnë edhe dëmshpërblim. Ndërsa nëse neni anulohet, atëherë do të vazhdojë ndjekja për të gjithë ata që i aboloi Ivanov.
Vendimi i gjykatësve kushtetues do të kuptohet muajin e ardhshëm. Mësohet se 6 gjykatës kushtetues ishin “për” dhe 3 “kundër” vendimit që të shqyrtohet kushtetueshmëria e nenit 11 me të cilin u tërhoq abolimi i ish presidentit, Gjorge Ivanov. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
